Kronikë e një kohe kryengritëse

27 janar 2026 | 20:06

Lulëzim ETEMAJ

Fillimviti 1990, krahas vrasjes mizore të shqiptarit Nuredin Nuredini në Haraçinë të Shkupit më 19 janar 1990 nga policia shoviniste maqedonase, solli Kongresin XIV të Jashtëzakonshëm të LKJ-së, i mbajtur më 20-23 janar 1990, që shënoi edhe shthurjen publike të Jugosllavisë, burgun kolektiv të shqiptarëve të mbetur nën të kundër vullnetit të tyre. Pas demonstratave të mbajtura më 19 janar në Haraçinë dhe para Kuvendit të Maqedonisë në Shkup, pikërisht në ditën e mbarimit të këtij Kongresi, më 23 janar 1990, shqiptarët në Haraçinë të Shkupit u hodhën sërish në demonstrata të tjera, të cilat dominoheshin nga kërkesa e shtruar fuqimisht para zyrtarit të lartë të qeverisë maqedonase, anëtarit të kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), Vasil Tupurkovski, për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së Nuredin Nuredinit gjatë rrëzimit të murit të oborrit të shtëpisë së tij.


Të njëjtën ditë, pra më 19 janar 1990, masa disamijëshe, e cila përbëhej kryesisht nga studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, paraprijës të të gjitha lëvizjeve dhe proceseve politike kombëtare, që kanë çuar përpara avancimin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve, të indinjuar nga gjendja e rëndë e krijuar në Kosovë, nën regjimin e masave të jashtëzakonshme dhe të prekur shpirtërisht nga vrasja e bashkëkombësit të tyre, Nuredin Nuredini, u hodh në një demonstratë të fuqishme nën parullat: “Kosova Republikë!”, “Lironi të burgosurit politikë”, “Barazi-Barazi!”, “Rroftë Adem Demaçi!”, “Jo, jo Serbi, nuk do të jesh perandori!” etj.
Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe në demonstratën e mbajtur një ditë më parë, më 24 janar 1990 demonstratat shënojnë një shtrirje gjithëshqiptare. Tani ato shpërthejnë edhe në Tetovë dhe Preshevë, kurse kërkesat e shtruara nga demonstruesit shqiptarë janë kryesisht të karakterit politik. Mes tjerash, në Prishtinë, para godinës së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, sërish shtrohet kërkesa dominante e pranverës së vitit 1981: “Kosova Republikë”. Pastaj kërkohet edhe heqja e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë; ndërprerja e gjykimeve politike; lirimi i të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë; dorëheqja e Rrahman Morinës dhe e strukturave udhëheqëse komuniste të Kosovës.


Pas refuzimit të kërkesave dhe gjykimit të demonstratave si “armiqësore” dhe “antijugosllave” nga ana e Komitetit Krahinor të LKJ-së së Kosovës me Rrahman Morinën në krye, policia speciale jugosllave provoi me anë të kërbaçit, gazit lotsjellës dhe me topa uji të shuante demonstratat e 26 dhe 27 janarit në Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Besianë, Kaçanik, Vushtrri, Rahovec, Therandë, Mitrovicë dhe qytete të tjera të Kosovës.
Më 27 janar në demonstratën e zhvilluar në Pejë vritet prej tyre i riu Fatmir Ukaj dhe plagosen shtatë persona të tjerë, ndërsa në fshatin Brestoc të Rahovecit, përveç vrasjes së Agron Fetahut nga fshati Celinë, Hilmi Krasniqit nga Hoça e Vogël, Halim Hotit nga Krusha e Madhe dhe Nesimi Elshanit nga Nagavci, numri i demonstruesve të plagosur me armë zjarri nga ana e policisë kishte arritur në 13 veta.
Si qarqet politike qeveritare të Beogradit, ashtu dhe përfaqësitë e tyre në Prishtinë heshtnin dhe fshihnin para opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar rastet e vrasjeve dhe të plagosjeve të shqiptarëve me armë zjarri, dhunën e shfrenuar të policisë dhe fushatën e arrestimeve të demonstruesve nëpër qytetet dhe fshatrat e shumta të Kosovës.

(Fusnotat janë hequr nga redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka folur për zhvillimet aktuale…