Në Serbi, 20 pika kufitare ende të bllokuara
Ndërmarrja publike “Rrugët e Serbisë” njoftoi më 28 janar se, sipas informacioneve nga Drejtoria e Policisë Kufitare të Serbisë, hyrjet dhe daljet nga ky shtet për automjetet e rënda janë të bllokuara në 20 pika kufitare.
Sipas njoftimit, të bllokuara janë pikat kufitare me Kroacinë – Batrovci, Shid, Bogojevo, Baçka Pallanka, Bezdan, Neshtin; me Hungarinë – Horgosh, Kelebia, Baçki Breg; me Rumaninë – Gjerdap, Sërpska Cërnja, Vatin, Kalugjerovo; me Bullgarinë – Vërshka Quka, Gradina, Strezimirovci, Ribarci, Mokranje; si dhe me Maqedoninë e Veriut – Preshevë dhe Prohor Pçinski.
Pikat kufitare me vendet e Bashkimit Evropian (BE) u bllokuan më 26 janar nga shoferët e kamionëve transportues nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, në shenjë proteste ndaj procedurave të ashpërsuara për hyrje në Zonën Schengen, të cilat, sipas tyre, ua kanë shkurtuar kohën e lejuar të qëndrimit në vendet e BE-së.
Forumi i Investimeve i Dhomave të Tregtisë së Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, që përfshin dhomat ekonomike të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, i dërgoi më 26 janar Komisionit Evropian një thirrje të përbashkët me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje urgjente për vështirësitë e shoferëve.
Në këtë thirrje u tha se rreth 60 për qind e tregtisë së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor zhvillohet me BE-në dhe se problemet e shoferëve në kufi mund të shndërrohen në një problem serioz sistematik, si ekonomik ashtu edhe politik për rajonin.
Në ditën e parë të bllokadës, më 26 janar, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Markus Lammert, deklaroi se institucionet evropiane po punojnë për një zgjidhje që do t’u mundësonte disa profesionistëve, përfshirë shoferëve të kamionëve, ë të qëndrojnë në Zonën Schengen më gjatë sesa e përcaktojnë rregullat aktuale.
Nga Dhomat e Tregtisë së Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës paralajmëruan për humbje shumëmilionëshe për shkak të bllokadave dhe për rrezikimin e stabilitetit të zinxhirit të furnizimit.
Ndikimi i bllokadave në tregun e Kosovës
Si importuese e shumë mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova pritet të ndjejë pasojat e protestave në qarkullimin e mjeteve të transportit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, njëherësh udhëheqës i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, ka deklaruar se Kosova nuk merr pjesë në protestë, pasi vendi nuk ka ende kompani logjistike që realizojnë transport të rregullt me vendet e BE-së.
Por, ai paralajmëroi se efektet e saj do të ndihen edhe në Kosovë.
“Për shkak të bllokadës së kufijve, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra”, deklaroi Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë i nisi më 27 janar një letër shefes së Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, duke i kërkuar që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që bllokadat të mos vazhdojnë më gjatë dhe të mundësohet qarkullimi i rregullt i mallrave, në të mirë të stabilitetit ekonomik të rajonit.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për vitin e kaluar, vendi ka importuar produkte në vlerë prej mbi 7 miliardë eurosh në total, ose rreth 20 milionë euro në ditë – një sasi të madhe të tyre përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Vlera e eksporteve, ndërkaq, ishte rreth 942 milionë euro vitin e kaluar, apo rreth 2.6 milionë euro në ditë.



