Si lindën ushtarët e parë deri te Gjeneralët e UÇK-së

29 janar 2026 | 20:22

Punimi i Rrustem Mustafës, për:
-Formimin e UÇK-së,
-Si lindën ushtarët e parë deri te Gjeneralët e UÇK-së.

…Lëvizje kombëtare shqiptare me në krye Adem Demaçin, pas këtyre përpjekjeve kishte sjellë përfundime të sakta dhe diku jepte dritën e gjelbër për fillimin e aksioneve të armatosura gjithandej ku mund të goditeshin forcat armike bashkë me ata që do t’i shërbenin armikut. Që nga viti 1993 shumë luftëtarë po jepnin prova të suksesshme në mbarë vendin dhe kështu e formësonin gueriljen e fortë dhe të pamposhtur, të cilësuar më vonë nga ekspertë të mëdhenj ndërkombëtarë si guerilja më e suksesshme e shekullit, e periudhës pas Luftës së Ftohtë, edhe pse u formua relativisht për një periudhë të shkurtër.

Procesi i formimit të UÇK-së s’do mend se u përcoll me shumë vështirësi, por veprimet e saj fituan mbështetjen e plotë të popullit, si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë. Lëvizja popullore po konsolidohej edhe më shumë. Ata po rivendosnin e riaktivizonin lidhjet e vjetra, po krijonin lidhjet e reja dhe po e shndërronin ilegalen në armatë të tërë për çlirimin e vendit.

Nën përkujdesjen e këtyre atdhetarëve po organizohej mbledhja e fondit, pas demonstratave të vitit 1989. “Vendlindja thërret!” – ishte mjeti më i njohur për mbledhjen e fondeve. Këta e organizuan grupin politik që do të merrte përgjegjësinë për kontakte politike-diplomatike të nevojshme për luftën. Krijuan grupe logjistike në Shqipëri dhe diasporë, grupe përgjegjëse për armatim, për teknikë luftarake dhe nevoja të tjera për çlirim.

Kështu, po operacionalizoheshin punët për gjithsecilin, saktë dhe me përgjegjësí të jashtëzakonshme. Këta të fundit po ua lehtësonin punën luftëtarëve që po luftonin drejtpërdrejt me forcat serbe, duke ua lejuar iniciativën e mjaftueshme për veprim në njësitë guerile në terren dhe duke i përkrahur ato pa rezervë me mundësi që shpeshherë ishin të pamundshme për kohën, e megjithatë ata e bënin këtë.

Pas dhënies së provave në terren dhe sukseseve të shumta, diku nga fillimi i viteve 1994 nën mbikëqyrjen e hollë të atdhetarëve, po bëheshin kontaktet e para të njësive të zonave të ndryshme në vend. Aktiviteti ishte orientuar kryesisht në krijimin dhe në organizimin e strukturave ushtarake.
Këto kontakte duke qenë shumë konspirative dhe duke dhënë informata vetëm aq sa i nevojiteshin njësitit me kujdes të shtuar, u pamundësohej involvimi i të padëshiruarve brenda UÇK-së, për të cilën po interesohej armiku dhe po bënte gjithçka për t’u futur në strukturat e kësaj organizate, ndonëse pa sukses. Këtë e pamundësoi kujdesi i hollë i njerëzve me përvojë që tanimë kishin përfituar përvoja të jashtëzakonshme në këtë drejtim.Viti 1995, shënon ngjarje të shumta të strukturimit dhe të shtrirjes territoriale të njësive guerile në tërë territorin e Kosovës, dhe arriti në një koordinim të lartë.
Në këtë kohë filluan takimet e para të shtabit operativ e po sinkronizoheshin në nivel të vendit aksionet e UÇK-së.

Po ndërmerreshin aksione të njëkohshme në mbarë vendin, duke ndodhur deri në 16 aksione brenda 1 ore në gjithë vendin, të urdhëruara nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së. Shtabi i përgjithshëm kishte caktuar në bazë të përvojës dhe rezultateve në terren komandant të shtabit operativ, aksionistin, strategun e madh të kohës, Zahir Pajazitin, njëri nga këta heronj që e mundën frikën, fillimisht në vete, pastaj edhe në popull, me bashkëluftëtarët e kohës.

Kur të tjerët ishin të shuar, kur zemra e tyre nuk i ngrohte asnjë ideal, të lodhur, të brengosur, të frikësuar, Zahir Pajaziti u shfaq në skenën historike jo vetëm shqiptare, por edhe më gjerë, me bindjet e tij se kryengritja ka shans dhe se ne kemi kapacitete kundërvënëse dhe se fitorja jonë është e pashmangshme. Ai fliste, organizonte, vepronte dhe ne e dëgjonim, ndërronim dhe pak nga pak angazhoheshim në strukturat luftarake që krijonte ai me shokët.

Ai e sfidonte kohën, e luftonte mentalitetin tonë lokal, krijonte njësi në çdo pjesë të vendit dhe luftonte gjithmonë në ballë të frontit. Kjo vërtetohet me rënien në krye të detyrës, në qendër të vendit, bashkë me bashkëluftëtarët nga pjesë të ndryshme të vendit.
Vlera e tij ishte besimi në ideale kombëtare dhe rrjedhimisht në fitoren tonë përfundimtare. Sot, falë këtij burri, Kosova dhe shqiptaret janë të lirë dhe kanë aleatë faktorët më të përparuar të botës.

Zahir Pajaziti pati fuqi dhe vizion që ta godasë armikun, që në dukje ishte i pamposhtur; ai në mënyrë të përgjegjshme ngadhënjeu edhe mbi defetistët e brendshëm. Nuk bëri asnjë gabim taktik apo strategjik, por i dha luftës një dimension strategjik, atë të luftës për lirí të shqiptarëve, për ideale të përgjithshme njerëzore, duke i ikur lokalizmit që na kishte përcjellë nga koha kur komunikimi ishte i vështirë.
Pas shumë aksioneve spektakolare në nivel vendi, të cilat ndikuan në krijimin e imazhit pozitiv politik ndaj Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, policia serbe filloi arrestimet dhe ndjekjet e drejtueseve të UÇK-së. Gjatë kësaj periudhe kohore, UÇK-ja pësoi shumë nga rënia heroike e Zahir Pajazitit në përleshje me armikun më 31 janar 1997 dhe e bashkëluftëtarëve të tij: Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

Por, përkundër rënies së tyre, radhët e UÇK-së sa vinin e shtoheshin me vullnetarë e luftëtarë të rinj.
Vrasja e frikës dhe çlirimi prej psikozës së saj, që filloi ta konkretizonte Zahiri me shokë, tani po shënonte fillimin e një kapitulli të ri në rezistencën e shqiptarëve.
Këtë herë ata po shkonin një hap më tutje. Me luftën e UÇK-së, ata po trokisnin në portën e lirisë.

Foto: Në Shtabin e Zonës së V në Prishtinë, pritje për Qerim Pajaziti baba i Komandantit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me qëllim të informimit të qytetarëve dhe palëve të interesit…