Kush i solli ligjëruesit e Gjykatës së Hagës në Prishtinë?!

31 janar 2026 | 12:10

Lulëzim ETEMAJ

Procesi gjyqësor në Hagë kundër katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, deri më tani ka dëshmuar se Prokuroria e kësaj gjykate po përpiqet ti mbështes krimet e pretenduara mbi fabrikime të ofruara nga Serbia si dhe nga dëshmitarë të ndryshëm: të fshehtë, të manipuluar dhe injorantë. Ndërkohë, në anën tjetër, të kundërtën- realitetin e luftës në Kosovë- e kanë dëshmuar qartë faktorë të shumtë ndërkombëtarë: politikë, diplomatikë, ushtarakë e të sigurisë, përfshirë edhe NATO-n.
Në këtë kontekst, mbajtja e ligjëratës nga zyrtarë të Gjykatës së Hagës para nxënësve të Gjimnazit Xhevdet Doda në Prishtinë, më 22 janar 2026, lidhur me krimet e pretenduara të UÇK-së, përbën një precedent të rëndë dhe të papranueshëm. Ky veprim bëhet edhe më i rëndë kur dihet fakti se këta nxënës i përkasin një vendi që ka përjetuar nga Serbia gjenocid të dokumentuar, gjurmët e të cilit janë të pranishme kudo.
Ligjërata të tilla nuk janë mbajtur as gjatë dhe as pas gjykimit në Hagë të Slobodan Millosheviqit, përgjegjësit për gjenocidin në Bosnje e Kosovë, si dhe krimet në Kroaci. Prandaj, lindin pyetjet legjitime për opinionin publik:
-Kush i solli ligjëruesit e Gjykatës së Hagës në Prishtinë?
-Kush i drejtoi ata në Gjimnazin Xhevdet Doda?
-Kush e përzgjodhi klasën ku u mbajt ligjërata?
Në një shoqëri që respekton sa duhet sakrificat, luftën dhe përkushtimin për çlirim, liri dhe pavarësim, Drejtoria e Arsimit e Prishtinës dhe drejtoria e Gjimnazit Xhevdet Doda do të ishin të obliguara, brenda 24 orësh, të japin përgjigje publike dhe të qarta për këto pyetje.
Të merresh vetëm me Gjykatën e Hagës, deformimet dhe anomalitë e saj, si dhe shkeljen e të drejtave më elementare njerëzore të krerëve dhe pjesëtarëve tjerë të UÇK-së, duke anashkaluar rolin e institucioneve vendore të arsimit dhe përgjegjësinë e tyre, vetëm sa e mjegullon çështjen dhe e shmang llogaridhënien.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dita e fundit e janarit, mund të jetë edhe dita…