Rritet indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar indeksin e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi për tremujorin e katërt (TM4) 2025.
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Në TM4 2025, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (-0,8%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 4,9%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 1,2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.
Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.
Po ashtu, në kuadër të prodhimeve blegtorale, çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.
Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.



