A mund të izolohet Lista Serbe nga Vetëvendosja?

02 shkurt 2026 | 16:37

Përpjekjet për ta margjinalizuar Listën Serbe janë më shumë sinjale politike për opinionin e brendshëm, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Emir Abrashi nga organizata Demokraci Plus.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë bazë ligjore – qoftë politike apo diskrecionale – për ta eliminuar këtë parti, e cila është më e madhja e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit.

Të shtunën, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve votuan kundër konfirmimit të rezultateve përfundimtare zgjedhore për Listën Serbe.

Ky veprim nxiti reagimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila kërkoi respektimin e standardeve ndërkombëtare zgjedhore dhe publikimin transparent të rezultateve.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila i fitoi zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, edhe më herët kishte tentuar ta pengonte Listën Serbe nga pjesëmarrja në zgjedhje, por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i kishte rrëzuar vazhdimisht këto vendime.

Kësaj radhe, Lista Serbe u ankua sërish ndaj vendimit të KQZ-së, të cilin e përshkroi si “të turpshëm, diskriminues dhe të paligjshëm”.

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se me këto veprime, Vetëvendosja i dërgon mesazh komunitetit serb, i cili ka votuar kryesisht për Listën Serbe, se nuk është i rëndësishëm dhe se votat e tij nuk merren parasysh.

“Kjo është përçarëse për marrëdhëniet në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në Kuvendin e Kosovës, dhjetë vende janë të rezervuara për komunitetin serb. Lista Serbe, me mbi 42 mijë vota, fitoi nëntë, ndërsa një e siguroi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në qëndrimin e saj se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e Beogradit”.

Si një nga arsyet përse nuk dëshiron bashkëpunim me të, përmend faktin se ajo nuk është distancuar kurrë nga ish-nënkryetari i saj, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Vetëvendosja shprehet e hapur për bashkëpunim me Rashiqin dhe këmbëngul që pozitat në Qeverinë apo Kuvendin e Kosovës, të cilat me Kushtetutë u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb, t’i jepen pikërisht partisë së tij.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi javën e kaluar se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, mund të emërohet vetëm nga partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti, që në këtë rast është Lista Serbe.

Kë e dëmtojnë përpjekjet për eliminimin e Listës Serbe?

Gogiq vlerëson se përpjekjet për ta eliminuar Listën Serbe nga skena politike, nuk i dëmtojnë vetëm serbët e Kosovës, por gjithë vendin, pasi, siç thotë, rrezikojnë të shkaktojnë bllokadë institucionale.

“Kosova mund t’i humbasë edhe afatet për konstituimin e Kuvendit nëse Vetëvendosja inatoset me Listën Serbe. Po humbet kohë dhe nuk po arrihet asgjë, sepse eliminimi i Listës Serbe nuk është i mundur”, thotë ai.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar, Kosova u përball me një krizë të thellë institucionale dhe politike, pasi partitë shqiptare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Më pas, bllokada vazhdoi edhe për shkak të zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi Vetëvendosja refuzoi t’i votonte kandidatët e Listës Serbe.

Se Lista Serbe nuk mund të eliminohet, e thotë edhe Abrashi nga organizata Demokraci Plus.

Sipas tij, partitë politike mund të përjashtohen nga procesi zgjedhor vetëm nëse nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara ligjore, ose nëse shpallen të paligjshme nga organet kompetente gjyqësore apo të sigurisë.

“Pa një vendim të tillë – përfshirë shpalljen si organizatë terroriste apo si subjekt tjetër i paligjshëm – nuk ka bazë ligjore për përjashtimin e Listës Serbe vetëm për arsye politike ose diskrecionale”, thotë Abrashi.

Ai shton se roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është administrativ dhe procedural, e jo politik, dhe se çdo veprim jashtë mandatit të përcaktuar qartë, i nënshtrohet shqyrtimit.

“Sundimi i ligjit, siguria juridike dhe trajtimi i barabartë i të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje mbeten thelbësore për ruajtjen e kredibilitetit të procesit zgjedhor dhe besimit në institucione”, thekson Abrashi.

A mund të vazhdojë Lëvizja Vetëvendosje ta injorojë Listën Serbe?

Gogiq vlerëson se hendeku mes Listës Serbe dhe Vetëvendosjes po thellohet, por shton se bashkëpunimi mes tyre është i domosdoshëm për formimin e institucioneve të reja.

Në këtë kontekst, ai kujton vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në favor të Listës Serbe, sipas të cilave Kuvendi i Kosovës nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, ndërsa kandidatin për këtë post mund ta propozojë vetëm partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti.

“Do të ishte e rëndësishme që Vetëvendosja të bënte kompromis me Listën Serbe, e cila, për shembull, mund të sigurojë kuorumin për zgjedhjen e presidentit. Sistemi në Kosovë kërkon pjesëmarrjen e komuniteteve dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë”, thotë Gogiq, duke paralajmëruar se Vetëvendosja mund t’i shkaktojë dëm gjithë Kosovës nëse vazhdon ta injorojë Listën Serbe.

Përndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në dhjetor të vitit të kaluar se mosmarrëveshjet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara lidhen kryesisht me Serbinë dhe strukturat e saj.

Sipas tij, ShBA-ja e konsideron qëndrimin e tij ndaj Serbisë si shumë rigoroz.

Në shtator të vitit 2025, ShBA-ja ka pezulluar përkohësisht Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi konfirmoi të hënën se mesfushori Jude Bellingham do…