Virusi Nipah, Ramadani: Rreziku për Kosovën është shumë i ulët
Mjeku Naser Ramadani ka reaguar lidhur me shqetësimet për virusin Nipah, duke theksuar se qytetarët duhet të qëndrojnë të informuar dhe jo të frikësuar.
Ai sqaron se, ndonëse virusi ka shkallë të lartë vdekshmërie, shpërthimet janë të rralla dhe të kufizuara në disa zona të Azisë. Sipas tij, rreziku për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin mbetet shumë i ulët.
“Virusi Nipah ngjall shqetësim global, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë për rrezik të lartë! Virusi Nipah është rikthyer në vëmendjen e publikut, duke ngritur pyetje nëse bota duhet të shqetësohet.
Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se Nipah është i rrallë, por kur ndodhin shpërthime, pasojat mund të jenë shumë të rënda. Ajo që e bën veçanërisht shqetësues është shkalla e lartë e vdekshmërisë, e cila në shpërthimet e kaluara ka qenë nga 40% deri në 75%”, ka shkruar Ramadani në “Facebook”.
A duhet të shqetësohet bota?, ka pyetur Ramadani. “Qëndroni të informuar, jo të frikësuar. Disa të dhëna të përgjithshme për të informuar qytetarët që të mos bien pre e dezinformimeve të ndryshme dhe për të mos shkaktuar panik të panevojshëm! Nipah është një virus që mund të kalojë nga kafshët te njerëzit.
Burimet më të shpeshta të infeksionit janë lakuriqët e frutave (Familja Pteropodidae) të cilat lloje nuk gjenden te ne! Lakuriqët në Shqipëri dhe Kosovë quhen hundëpatkua i vogël (Rhinolophus hipposideros) dhe janë insektivore, që do të thotë se ushqehen kryesisht me insekte dhe molusqe të vogla dhe nuk hanë fruta. Aktualisht virusi nuk përhapet përmes ajrit!”, ka thënë Ramadani.
Ai ka treguar për simptomat e këtij virusi. “Ethe, dhimbje koke, konfuzion, vështirësi në frymëmarrje, lodhje, marramendje, të vjella, diarre; Sëmundja mund të përkeqësohet dhe të shkaktojë ënjtje të trurit (encefalit) dhe vdekje; Rreth 20% e të mbijetuarve mund të kenë probleme neurologjike afatgjata”.
Mdërkaq për diagnostikim duhet të bëhen testet kryesore RT-PCR dhe testet e antitrupave (ELISA). “Trajtimi: Nuk ka terapi ose vaksinë të miratuar. Trajtimi është mbështetës: oksigjenim, hidratim, kujdes për funksionimin normal të organizmit Parandalimi: Mos konsumoni fruta ose lëngje që mund të jenë prekur nga lakuriqët; Përdorni doreza dhe mbrojtje kur trajtoni kafshët e sëmura; Evitoni kontakt të afërt me njerëzit e sëmurë dhe mbani higjienën e duarve. Në spitale: pacientët duhet të izolohen, stafi të përdorë maska, doreza, mantila dhe syze mbrojtëse. Rreziku aktual: Deri tani shpërthimet janë të kufizuara në disa zona të Azisë. Shumë i ulët rreziku për Europën, Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë”, ka deklaruar mjeku Ramadani.



