MAQEDONIA – POLIGON I PROJEKTEVE ANTISHQIPTARE
Është thënë e përsëritur sa e sa herë nga parti e organizata të ndryshme politike ilegale e revolucionare, nga udhëheqës të mëdhenj të popullit e Atdheut para e pas LNÇ-së, nga shkencëtarë eminentë të historisë, kulturës e traditës kombëtare shqiptare, por në mënyrë të veçantë e decisive nga Lëvizja Popullore e Kosovës dhe veprimtarët e saj më të dalluar se: Populli shqiptar që jeton në trojet e veta stërgjyshore brenda kufijve politikë të IRJ të Maqedonisë, ka qenë poligoni e laboratori ku janë hedhur në veprim me qindra ide e programe ekskluzivisht antishqiptare!
Shovinistët jugosllavë në përgjithësi dhe pushtuesit tanë të drejtpërdrejtë serbo-maqedono-malazezë në veçanti, mbi popullsinë shqiptare në IRJ të Maqedonisë, derdhin dhe verifikuan të gjitha teoritë dhe doktrinat antishqiptare!
Kjo pjesë e viseve të Kosovës, ishte dhe mbeti ajo tokë shqiptare që më së shumti e pësoi gjatë regjimit gjakatar titist!
Por me gjithë të goditurat që u dhanë, populli shqiptar që jeton në IRJ të Maqedonisë, asnjëherë nuk u thye e nuk ra në gjunjë, por qëndroi stoik dhe i pathyeshëm drejt të ardhmes së ndritur!
Kur shpresuam se me daljen në skenë të pluralizmit do të eliminoheshin dhe menjanoheshin një varg i pafund armiqësish, të këqijash e dobësish që kishte mbjellur dhe lënë trashëgim e kaluara që na rëndonin tmerrësisht mbi supe, na doli se u gënjyem, dështuam dhe u thyem, ngase jo vetëm që nuk arritëm të lirohemi nga barra e madhe dhe rëndë e së kaluarës, por mbi supet tona rënduan e rëndojnë vazhdimisht të këqija akoma më të mëdha, që mbajnë vulën e demokracisë, të të drejtave të njeriut, të mendimit të lirë e fjalës së lirë!
Provokacionet dhe sulmet e armiqve të jashtëm e veçanërisht ato që vijnë nga Serbia, Mali i Zi dhe IRJ e Maqedonisë, edhe pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri dhe ardhjes në pushtet të PD-së së Sali Berishës, nuk kanë pushuar në asnjë çast, por ato përkundrazi kanë qenë dhe janë më të fuqishme, më të hapura dhe më të sofistikuara!
Ndërhyrjet, goditjet dhe njollosjet e armiqve të jashtëm ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar në të gjithë hapësirën etnike, nuk janë duke u bërë pse qeveria dhe pushteti i “demokratit” Sali Berisha është më shqiptar se ai i kaluar siç mund të justifikojnë disa burizanë pseudodemokratë andej e këndej kufirit, por pse ky i fundit d.m.th. Berisha, gjithë botës duke përfshirë edhe armiqtë fqinjë ua shtrini duart tej masës duke i harruar shovenistët sllav (kur deklaron se Shqipëria nuk ka asnjë armik të jashtëm), sa u shndërruan në lypsa, ua uli kurrizin jo burrërisht, sa ka filluar të keqpërdoret, nuk la sekret ushtarak pa e dekonspiruar para armiqve sa Shqipërisë më nuk ia ka frikën askush si dikur në të kaluarën, e përçau dhe bëri copa-copa popullin shqiptar kudo që jeton!
U tregua i papjekur opinioni se: me rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë pluraliste në Shqipëri do të pushonin dhe orkeset ndaj Atdheut dhe synimet e dhunshme serbo-maqedono-malazeze mbi popullin shqiptar!
Por sulmet dhe provokacionet e armiqve nuk kanë të ndalur!
Ato shoqërohen me vrasje e gjakderdhje, dhunë e terror të paparë!
Provokacioni dhe sulmi më i ri i armiqve të jashtëm dhe pushtuesve tanë mbi popullin shqiptar, ndaj politikës dhe kreatorëve të saj; pavarësisë shtetërore dhe kombëtare; ndaj historisë, kulturës, shkencës dhe arsimit shqiptar është rrëzimi i ndërtesës së Universitetit të Tetovës dhe pengimi i veprimtarisë së tij të mëtejshme, ekstradimi i ish-delegatëve të legjislaturës së parë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga IRJ e Maqedonisë!
PSE U RRËZUA NDËRTESA E UT-SË DHE PSE U EKSTRADUAN ISH-DELEGATËT E KOSOVES?
Ndërtesa e UT-së u rrëzua dhe u ekstraduan ish-delegatët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pse IRJ e Maqedonisë është një nga armiqtë më të mëdhenj e shekullor të popullit shqiptar, ndërtesa e UT-së u rrëzua dhe u ekstraduan ish-delegatët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pse IRJ e Maqedonisë me kohë është dëshmuar se është kundërshtare e pakompromis e përparimit intelektual, arsimor e shkencor të shqiptarëve në Maqedoni,dhe armike e përbetuar e pavarësisë politike e shtetërore të Kosovës!
Pengimi policor i veprimtarisë së UT-së dhe deportimi i ish-delegatëve nga ana e IRJ të Maqedonisë, është shprehje e armiqësisë që ushqejnë pushteuesit maqedonomëdhenj ndaj popullit shqiptar të Republikës së Kosovës dhe viseve të saj; pengimi policor i veprimtarisë së UT-së dhe deportimi i ish-delegatëve, është dëshmia më e pakontestueshme se ashtu si të gjithë armiqtë e tjerë edhe maqedonët i pengon prosperiteti kombëtar shqiptar, dhe bashkëpunimi serbo-maqedon është koheziv dhe ruan kontinuitetin e vet në dëm të interesave shqiptare, dhe se do të jetë gjithmonë permanent; pengimi policor i veprimtarisë së UT-së dhe deportimi i ish-delegatëve, ndodhi pas përçarjeve e thyerjeve të mëdha që ndodhën në PPD dhe dështimet që pësuan shqiptarët në zgjedhjet për Parlamentin e Maqedon, etj., etj.
Për rrëzimin e ndërtesës së UT-së dhe pengimin e veprimtarisë shkencore të tij, për ekstradimin e ish-deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përpos armiqve që janë shkaktarët, përgjegjësi mbajnë edhe udhëheqësit aktualë në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë!
Megjithatë pavarësisht se mbi kë bie përgjegjësia, armiku maqedono-serbo-malazez duhet ta dijë njëherë e përgjithmonë se: Populli shqiptar kurrë nuk është pajtuar të jetojë i nënshtruar, por gjithmonë ka luftuar dhe do të luftojë për Lirinë dhe Pavarësinë e Atdheut!
Prandaj as sot kur ai po bën përpjekje që t’i shmanget gjakderdhjes, lufta nuk e tremb, sepse dashuria ndaj tokës është më e madhe se jeta në paqe e robëri!
Nezir UKA,
Gjilan, Janar 1995!
P.S. E botuar në Zërin e Kosovë, nr. 3 të datës 1 Shkurt 1995!










