KQZ-ja publikon shpenzimet tremujore të subjekteve politike
Me qëllim të zbatimit të Ligjit nr. 08/L-122 për Financim të Subjekteve Politike, në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë publikuar raportet e shpenzimeve të tremujorit (tetor – dhjetor 2025) të subjekteve politike të cilat ishin pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Sipas këtij ligji, subjektet politike i dorëzojnë këto raporte në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) dhe të njëjtat publikohen në uebfaqen e KQZ-së dhe të subjekteve politike.
Sipas njoftimit të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson listën e shpenzimeve, me rreth 1 milion e 263 mijë euro të shpenzuara gjatë kësaj periudhe tremujore.
Ndërsa, në vend të dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka shpenzuar rreth 280 mijë e 822 euro.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka raportuar shpenzime në vlerë prej rreth 224 mijë e 859 euro për periudhën tetor – dhjetor 2025.
Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka raportuar shpenzime 70 mijë euro gjatë kësaj periudhe raportuese.
KQZ-ja ka bërë të ditur se publikimi i këtyre të dhënave bëhet në kuadër të transparencës dhe monitorimit të financimit të subjekteve politike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.



