“Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, qytetarët kundërshtojnë rritjen e çmimit të rrymës
Qytetarët kanë protestuar të premten para objektit të KEDS-it në Prishtinë, për të kundërshtuar njëzëri mundësinë edhe të një tjetër rritje të çmimit të energjisë.
Në pankarta shihet mbishkrimi ku i janë përgjigjur ministres në detyrë të ekonomisë, Artane Rizvanolli, se gjoja po sakrifikojnë, për një energji të sigurt në të ardhmen. “Nuk sakrifikojmë na për KEDS”, “Rryma nuk është luks”, “ZRRE argatë të KEDS-it”, “Rryma rritet, populli djeget”, “Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, ishin disa nga pankartat që qytetarët protestues mbanin në duar.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja”, kërkesën e KESCO-s që të bëhet edhe një rritje e çmimit të energjisë prej 21.3 për qind, e kanë cilësuar proces të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.
Një protestues është arrestuar teksa po protestonte kundër shtrenjtimit të rrymës. Ai u arrestua pasi u gjuajt ngjyrë e kuqe, ani pse ai thoshte se nuk e gjuajti atë.
Qytetari Sylejman Krasniqi, i cili protestonte, ka bërë me dije se ka parë njerëz të cilët kanë marra para borxh për të blerë një bukë, e madje edhe vet ai thotë se fatura e rrymës i vinte deri në 50 euro e tani po paguan mbi 300 euro.
Ndërkaq qytetarja tjetër Sevdije Sadiku, ka thënë se si pasojë e çmimit të lartë të rrymës shumë familje nuk do të mund t’ia dalin të bëjnë pagesën, dhe si pasojë KEK-u do t’iu këpusë rrymën dhe do të mbeten në terr, ndërkohë që thekson se vetë pushtetarët po jetojnë një jetë luks, duke vozitur edhe xhipa të zi.
“Populli ka për të mbetur në terr. Një pjesë e madhe kemi mbetur borxh te KEK-u dhe kemi për të mbetur në terr, ja kjo është qeveria jonë. Këta vet i kanë rregulluar punët, sepse vozitën me xhipa të zi. Kanë parë, kanë luks dhe hanë ushqime të mira. Ne si do të jetojmë? Çka do të hamë e çka do të pimë? Ne veç rrymën duhet ta paguajmë dhe ujin, pra për t’ia plotësuar shtetit pagesat. Çdo ditë njerëzit po ikin për një jetë më të mirë”, ka thënë Sadiku.



