Në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të nismës së Konferencës së Rambujesë (6 shkurt 1999)
Fatmir Lekaj, politolog
Udhëheqja politiko-ushtarake e Kosovës u sfidua shumë nga dokumenti i propozuar për negociata në Konferencën e Rambujesë ngaqë në pikënisje ky dokument garantonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federative Jugosllave (RFJ-së), de facto të Serbisë, mbi Kosovën, dhe parashihte një autonomi për Kosovën që nuk ishte në nivel as me autonominë që kishte Kosova në bazë të Kushtetutës të vitit 1974.
Në kuadër të këtyre zhvillimeve, kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçi, sa e kishte privilegjin, po aq e kishte të vështirë pozitën e kryesuesit të delegacionit. Për më tepër, ishte nën hijen, në kuptimin e presionit psikologjik, të dy personaliteteve më me ndikim politik në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Kjo gjendje, në fakt, e ndihmoi Hashim Thaçin ta gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Brenda kështjellës e kishte simbolin e rezistencës paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovën, i cili, me personalitetin e tij si misionar i paqes, e rriste presionin psikologjik për nënshkrimin, gjithsesi të një marrëveshjeje si rrugë drejt paqes. Jashtë kështjellës e kishte simbolin e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, njëherësh prijës emblematik politik i UÇK-së, Adem Demaçin, i cili (edhe pse e kishte refuzuar që në fillim dokumentin e propozuar për negociata), me ndikimin që kishte, e rriste presionin psikologjik në kuptimin që të mos pranohet ndonjë zgjidhje pa asnjë perspektivë politike për Kosovën dhe kështu, tërthorazi, ndikonte për forcimin e pozicionit negociues të delegacionit shqiptar të Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Madje edhe Madeline Albright në librin e saj “Madam Secretary: a memoir”, përveç të tjerash, shkruan se Demaçi ishte: “Një prej atyre që i bënin presion Thaçit ta ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm”.
Në këtë vazhdë, pasi që u premtua se zgjidhja finale për Kosovën do të bazohet në vullnetin e popullit (edhe pse shprehja “vullneti i popullit” nuk ishte e konkretizuar), delegacioni i shqiptarëve të Kosovës, i kryesuar nga Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova, në të cilin kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Rexhep Qosja dhe Veton Surroi (bashkërisht me delegatët e tjerë), e pranoi propozimin për Marrëveshjen e Rambujesë dhe e nënshkroi më 18 mars 1999 në Paris të Francës, e gjithë kjo, në kombinim me refuzimin e Millosheviqit të kësaj marrëveshje, rezultoi me intervenimin ajror të NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.
Sipas ballkanologut norvegjez Svein Mønnesland, Millosheviqi e refuzoi marrëveshjen e Rambujesë sepse nuk pranoi, siç parashihte kjo marrëveshje, stacionimin e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO dhe se kjo marrëveshje pas tre vjetësh parashihte një lloj referendumi për Kosovën. Këto dy arsye kryesore në lidhje me refuzimin e marrëveshjes së Rambujesë nga Millosheviqi janë konfirmuar para rreth dy vjetësh edhe nga Vuk Drashkoviq (ish-kryediplomat i Serbisë gjatë Konferencës së Rambujesë) në një intervistë të tij për një TV të Kosovës. Në atë intervistë, Drashkoviqi gjithashtu jep edhe një shpjegim tjetër shtesë pse Millosheviqi e refuzoi marrëveshjen e Rambujesë ku, përveç të tjerash, thotë: “Personalisht mendoj se Millosheviqi i kishte disa arsye të vetat që e refuzoi marrëveshjen e Rambujesë. Deri para luftës në Kosovë dhe deri para bombardimeve të NATO-s, Millosheviqi në botë njihej si agresor. Si një njeri që qëndronte prapa të gjitha krimeve dhe agresioneve në Bosnjë e Kroaci. Por, ai tani përnjëherë dëshironte të ishte në pozitën e viktimës, dhe që bota ta njihte si dikë që ishte viktimë e agresionit të forcës më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit. Nuk e di, ndoshta kjo ishte njëlloj kënaqësie për të”.
Rrjedhimisht, mund të konkludohet se parakushte kryesore dhe të domosdoshme për zbërthimin e nyjës gordiane drejt ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit përfundimtar të Kosovës ishin, në kuptim komplementar, UÇK-ja dhe Lëvizja Paqësore e Kosovës, që arritën më shumë dhe më pak në kuptim komplementar që çështjen e Kosovës (që kishte mbetur çështje e pazgjidhur prej vitit 1912) ta vendosin për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, dhe me sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës, shërbyen si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe rolin vendimtar të intervenimit ushtarak ajror të NATO-s, në krye me ShBA-në (përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s).



