UÇK-ja sërish do të triumfojë!

08 shkurt 2026 | 11:20

Bazuar këto tendenca qëllimkëqija të prokurorisë për shtrembërimin e së vërtetës së luftës sonë për liri, që fillin e kanë tek Raporti skandaloz i Marty-t, tashmë është e qartë se qëllimi i Prokurorisë dha i qarqeve anti-Kosovë është të rishkruhet historia, duke synuar me çdo kusht tek konstatimi i tyre se shteti i Kosovës është storie e dështuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, të cilët e ndihmuan UÇK-në në procesin e çlirimit të Kosovës. Prandaj, çdo qytetar i ndërgjegjshëm i Kosovës, çdo politikan dhe udhëheqës institucional e partiak, çdo veprimtar i çështjes kombëtare, duhet ta kuptojnë qartë këtë qëllim të ulët të Prokurorisë së Dhomave të Specializuar të Kosovës dhe të jemi unikë në mbështetjen e konfirmimit të së vërtetës dhe të drejtësisë së luftës sonë çlirimtare, të vërtetës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke besuar në drejtësinë e luftës sonë çlirimtare dhe në pafajësinë e drejtuesve të UÇK-së, bashkërisht duhet të kërkojmë të vendoset drejtësi, duke mos lejuar që tendencat politike për barazimin e viktimës me agresorin dhe për rishkrimin e historisë, të ndikojnë në marrjen e vendimit nga Trupi Gjykues!    

Shkruan Arianit Bytyçi

Kur në fund të qershorit të vitit 1998 e shikova për herë të parë xhirimin e Betimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kleçkë, më pat rënë në sy një luftëtar i ri, i cili me artikulim të qartë dhe me një shqipe të pastër e shqiptonte betimin që po i paraprinte lirisë së Kosovës, që do të vinte vetëm një vjet më pas. Në të njëjtën kohë, në mesin e xhirimeve që babai im Nuhiu me kameramanin e tij të luftës, axhën Abaz kishte realizuar në kuadër të emisionit të parë kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po ashtu dallohej me artikulim të fuqishëm politik dhe ushtarak edhe një luftëtar tjetër, që e mbushte aq bukur uniformën e UÇK-së. E pyeta babain me një kureshtje të lartë: “Kush janë këta dy luftëtarë? A janë pjesë e udhëheqjes së lartë të UÇK-së?”. Këtë pyetjen e dytë e pata bërë me dëshirën e sinqertë që në një kohë kur në Prishtinë mbizotëronte një propagandë e ulët anti-UÇK nga qarqe të caktuara politike, ishte me interes që në emër të UÇK-së para opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar të paraqiteshin figura që kishin jo vetëm artikulim të qartë politik dhe ushtarak por edhe paraqitje dinjitoze. Babi mu përgjigj shumë shkurt: “Ai që e interpreton betimin është komandant Çeliku, e luftëtari tjetër është komandant Coli”. Nuk mi dha emrat! Ishte kohë e vëshirë dhe për çdo gjë duhej patur kujdes! Më vonë mora vesh se komandant Çeliku ishte Fatmir Limaj, ndërsa komandant Coli ishte Agim Çelaj. Vetëm një muaj më pas, më 19 korrik 1998 gjeneral Agim Çelaj bie heroikisht gjatë luftimeve në betejën e Rahovecit. Ishte vërtetë humbje e madhe për UÇK-në, duke marrë parasysh profesionalizmin, përkushtimin dhe moralin që komandant Coli kishte treguar dhe kishte mbjellur tek të gjithë ushtarët e UÇK-së.

Më vonë, pas disa muajsh, në dimër të vitit 1998 e pata takuar Fatmir Limajn në Fshat të Ri e Lladroc bashkë me shok të tij aq të afërt të luftës, i cili ia kishte vënë edhe nofkën e luftës komandant Çeliku, bazuar në përkthimin e emrit të vëllait të Fatmirit, Demirit, i cili asokohe vuante në burgjet serbe, pasi ishte arrestuar bashkë me shumë pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në fillim të vitit 1997, pas vrasjes së heronjve Zahir Pajaziti, Edomond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Shoku i Fatmirit e kishte emrin Rexhep Selimi dhe ishte paraqitur për herë të parë publikisht në varrimin e mësuesit Halit Geci më 28 nëntor 1997. Ishte bashkëluftëtar i komandantit legjendar Adem Jashari dhe heroit të kombit Zahir Pajaziti!

Pas gjashtë vjetësh e pata takuar luftëtarin e lirisë, Fatmir Limajn në një rrethanë tjetër të jashtëzakonshme dhe në të njëjtën kohë anakronike për kohën – në burgun e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Sheveningen të Hagës. Nuk mund ta imagjinoja që në të njëjtin burg të takoja Fatmirin që kishte luftuar për lirinë e atdheut të tij dhe në korridoret e të njëjtin burg të shihja nga afër kasapin e Ballkanit, atë që kishte urdhëruar e shkaktuar gjenocidin në Kosove, Sllobodan Millosheviqin. Bota asokohe ishte treguar e padrejtë me Kosovën, duke akuzuar luftëtarë të lirisë së Kosovës! Por, Fatmiri u shpall i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës, përderisa Millosheviqi vdiq në burgun e Sheveningenit pa marrë dënimin e merituar për gjenocidin dhe të gjitha krimet makabre që Serbia kishte kryer jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë e Kroaci. Dihet botërisht që Fatmir Limaj u përball edhe me dy procese tjera gjyqësore në Kosovë, duke rikonfirmuar pafajësinë e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij.

Por, qëllimi për të demonizuar luftën tonë çlirimtare dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si organizimi më i suksesshëm politik dhe ushtarak i shekullit njëzetë nuk u ndal me kaq. Pas dhjetëra proceseve gjyqësore të udhëhequra nga drejtësia ndërkombëtarë në Kosovë kundër komandantëve të UÇK-së, vite më vonë bazuar në miratimin nga Këshilli i Evropës i raportit skandaloz për kinse trafikim të organeve nga UÇK-ja gjatë luftës, raport i hartuar nga politikani kontrovers Dick Marty, pas presionit ndërkombëtar Kuvendi i Kosovës themelon Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që në diskursin publik në Kosovë njihet si Gjykata Speciale. Hetimet për akuzat monstruoze për trafikim të organeve rezultuan që në fillim me dështim të plotë, duke mos u dëshmuar ky pretendim i pabazuar i Dick Mary-t, e më herët edhe i prokurores Carla Del Ponte. Dhe, në vend që të përmbyllte misionin e vet për të cilin ishte themeluar, pra për të vërtetuar pretendimet për trafikim të organeve, Prokuroria e Dhomave të Specializuara sajon një aktakuzë të pabazuar më një përmbledhje rastesh të trajtuara nga TPNJ dhe gjykatat e UNIMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë, duke i akuzuar drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi për ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Tendencat për ta inkriminuar qëllimin dhe veprimin e Lëvizjes Kombëtare për liri dhe qëllimin e luftës çlirimtare të UÇK-së

Që nga publikimi i aktakuzës dhe nga fillimi i procesit gjyqësor, shihet qartë tendenca për demonizimin e luftës çlirimtare të UÇK-së. Duke e trajtuar me tendencë inkriminuese tërë historikun e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës për liri, që nga viti 1981 e në vazhdimësi, prokuroria në aktakuzë kulmon me konstatimin se për arritjen e pavarësisë së Kosovës kishte dy opsione: opsioni paqësor i përfaqësuar nga LDK dhe “opsioni i dhunshëm” i përfaqësuar nga UÇK. Skandaloze! A ka argument më të qartë për të gjithë ata që thonë se po gjykohen individët e jo UÇK-ja: kjo prokurori e përdorë formulimin “opsioni i dhunshëm” me qëllime të këqija, duke tentuar që në fillim të inkriminojë edhe vetëm “opsionin” e luftës çlirimtare dhe vetë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës! Edhe në shumë elemente tjera jo vetëm në aktakuzë, por edhe në pyetjet e prokurorëve dhe po ashtu në pyetjet sugjestionuese të Trupit Gjykues, shihet qartë tendenca që duke përdorur madje edhe figurat emblematike të UÇK-së, si komandantin legjendar Adem Jashari dhe heroin Zahir Pajaziti, të inkriminohet e tërë lufta jonë çlirimtare dhe qëllimi i saj fisnik – liria e Kosovës.

Në një pjesë të aktakuzës së prokurorisë së Speciales, që është shprehur edhe në gjithë procesin gjyqësor është se UÇK është marrë me njerëzit që nuk iu kanë bashkëngjitur asaj. Kjo tendencë është ripërsëritur edhe në ligjëratën skandaloze të Speciales në një nga shkollat më të dalluara në Republikën e Kosovës, e cila gjatë luftës ishte vënë tërësisht në shërbim të UÇK-së përmes aktiviteteve në qendër të Prishtinës – Gjimnazin “Xhevdet Doda”. Kjo akuzë është tërësisht e pavërtetë dhe e paqëndrueshme. Për ta argumentuar këtë konstatim timin, do të prezantoj në mënyrë të përmbledhur një përvojë time gjatë periudhës së luftës çlirimtare. Gjatë natës së vitit të ri 1999, përkatësisht natën e 31 dhjetorit 1998, bashkë me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Fatmir Limaj e Rexhep Selimi, me luftëtarët Haxhi Shala, Çerkin Dukolli, Naser Hoxha, Shefqet Buçaj, Shaban Dragaj e shumë luftëtarë të tjerë të UÇK-së, si dhe me babain Nuhiun e kameramanin Abaz Zeka, patëm vizituar disa familjet e dëshmorëve Habib Zogaj, Nuhi Mazrreku dhe disa nga njësitet e UÇK-së në istikame në Tërpezë, Banjë, Lladroc e Javor. Në mesin e vizitave, e mbaj në mënd shumë mirë se e patëm vizituar edhe një ushtar të UÇK-së i cili ishte i plagosur. E kishte emrin Avni Buçaj dhe ishte vetëm 17 vjeçar, ishte i vetmi djalë në familje. Për këtë arsye, komandant Çeliku dhe bashkëluftëtarët e tij disa herë i kishin thënë dhe e kishin detyruar që nga istikamet e luftës të kthehet në shtëpinë dhe familjen e tij. Por, Avniu nuk kishte pranuar, ishte kthyer përsëri pranë bashkëluftëtarëve në istikame, përderisa një ditë edhe plagoset. Pas disa muajsh, gjatë luftimeve, luftëtari i ri i UÇK-së Avni Buçaj bie dëshmor. Ky rast e dëshmon më së miri karakterin e luftës çlirimtare dhe shpirtin e rinisë shqiptare të Kosovës. Kjo e dëshmon se UÇK ishte ushtri vullnetare, se askush askënd nuk e detyronte e as që kishte mundësi e kapacitet ta detyronte që të inkuadrohej në radhët e UÇK-së. Përkundrazi, radhët e UÇK-së mbusheshin përherë me të rinjë e të reja si Avniu e shumë luftëtarë tjerë vullnetarë që kishin ardhur edhe nga mërgimi dhe nga trojet shqiptare në Maqedoni dhe nga Shqipëria, siç është rasti i ardhjes vullnetare të heronjve të kombit, Ismet Jasharit-komandant Kumanovës dhe Tahir Sinanit nga Tropoja. Prandaj, pretendimet e prokurorisë se UÇK është marrë me ata që nuk i janë bashkëngjitur luftës është tërësisht i pavërtetë dhe tendencioz. UÇK ishte ushtri vullnetare, ashtu siç ishte vullnetare edhe lufta jonë për çlirim.

Për më tepër, bazuar në këto tendenca qëllimkëqija të prokurorisë për shtrembërimin e së vërtetës së luftës sonë, që fillin e kanë tek Raporti skandaloz i Marty-t, tashmë është e qartë se qëllimi i Prokurorisë dha qarqeve anti-Kosovë është të rishkruhet historia e luftës sonë, duke synuar me çdo kusht tek konstatimi se shteti i Kosovës është storie e dështuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, të cilët e ndihmuan UÇK-në në procesin e çlirimit të Kosovës.

Prandaj, çdo qytetar i ndërgjegjshëm i Kosovës, çdo politikan dhe udhëheqës institucional e partiak, çdo veprimtar i çështjes kombëtare, duhet ta kuptojnë qartë këtë qëllim të ulët të Prokurorisë së Dhomave të Specializuar të Kosovës dhe të jemi unikë në mbështetjen e konfirmimit të së vërtetës dhe të drejtësisë së luftës sonë çlirimtare, të vërtetës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tani kur procesi është në fazën e prezantimit të fjalëve përfundimtare të palëve, dhe disa javë apo muaj para vendimit të Trupit Gjykues të gjithë duhet të jemi unikë dhe të mbrojmë bashkërisht themelet e shtetit të Kosovës, që janë ndërtuar me gjakun e dëshmorëve, heronjve dhe martirëve, me sakrificën e luftëtarëve të lirisë dhe me mbijetesën e popullit të Kosovës. Në këtë kohë vendimtare për historinë moderne të Kosovës, duhet lënë anash mllefet, inatet, qoftë personale apo partiake e politike, sidomos të atyre që gjatë luftës çlirimtare për një apo arsye tjetër objektive apo subjektive nuk kanë arritur të kryejnë obligimin e tyre kombëtar e njerëzor për t’u rreshtuar në UÇK apo të ishin së paku në mbështetje morale të saj e të luftës çlirimtare. Interesat politike dhe partiake duhet të ndahen nga interesi kombëtar, me qëllim që të gjithë së bashku të çojmë mesazhin e fuqishëm që ky proces gjyqësor të rezultojë me pafajësinë e drejtuesve të UÇK-së, me pafajësinë e UÇK-së!

Të jemi unikë në mbështetje të UÇK-së – të themeleve të shtetit demokratik të Kosovës

Në anën tjetër, me apo pa të drejtë, është normale që ndokush mund të mos pajtohet me veprimet politike e institucionale të pasluftës të ndonjërit apo secilit prej të akuzuarve në Hagë, por kur është në pyetje interesi kombëtar, mbrojtja e të vërtetës historike të luftës çlirimtare të UÇK-së, e cila po gjykohet në Hagë, ato mospajtime politike e partiake nuk duhet t’ia zënë hapësirën rezonimit në interes të së mirës së atdheut. Me gjithë meritat e tyre në procesin e shtetndërtimit e të shpalljes se pavarësisë, ku dy prej tyre (Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi) ishin angazhuar politikisht që nga Konferenca e Rambujesë, e cila e përmbylli procesin e çlirimit të Kosovës pas fushatës ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe, e deri te bisedimet e Vjenës, që rezultuan me Pakon e Ahtisaar-it, e cila e bëri të mundur shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjet ndërkombëtare, shumëkush prej nesh me të drejtë asnjëherë nuk është pajtuar me disa nga veprimet dhe vendimmarrjet politike të ndonjërit prej drejtuesve institucional që janë në Hagë, siç janë për shembull mospajtimet me politikën kadrovike në institucionet publike, e cila siç do të shkruante para disa javësh veprimtari i dalluar i LKÇK-së e luftëtari i UÇK-së, Sabit Gashi, ishte e dështuar. Në të njëjtën linjë janë edhe dështimet tjera në përmbylljen e reformave në ekonomi, energjetikë, arsim e shëndetësi, të cilat fatkeqësisht nuk i ka përmbyllur asnjë qeveri e Kosovës deri më tani, e as kjo aktualja. Po ashtu, disa nga luftëtarët e drejtuesit e UÇK-së në Hagë, kur kishin përgjegjësi udhëheqëse institucionale e shtetërore, i avanconin e i mbështesnin shpeshherë të rinjtë e Prishtinës të cilët në vitin 1998 edhe pse ishin të pjekur, nuk e kishin mbështetur me asnjë aktivitet apo veprim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e as Lëvizjen Studentore të 1 tetorit 1997, e cila i kishte hapur rrugë daljes së UÇK-së në skenë. Në këtë mënyrë disa nga këta udhëheqës, pas luftës kishin injoruar të rinjtë tjerë por edhe profesorët, të cilët më 1998 dhe 1999 në të njëjtën shkollë ishin angazhuar në mënyrë aktive me të gjithë potencialin e tyre, duke u vendosur në shërbim të plotë të UÇK-së, e duke bërë që kjo shkollë përmes veprimtarisë së vet në qendër të Prishtinës të ishte zëri i luftëtarëve të lirisë. Disa po prej këtyre drejtuesve që sot janë në Hagë, shpeshherë i tejkalonin e i injoronin miqtë e vërtetë e të sinqertë të kohëve të vështira dhe në të njëjtën kohë për interesa të vogla politike ndërtonin bashkëpunim e miqësi me politikanë e biznesmenë kontrovers që në kohë lufte kishin marrë edhe role tjera jashtë orientimit properëndimor të UÇK-së e të Kosovës. E shumë e shumë gabime tjera, të cilat i kanë pranuar edhe ata vet gjatë paraqitjeve e intervistave nga Haga.

Por, sot fokusimi tek këto gabime politike nuk duhet të vijnë në shprehje për arsye se ky proces gjyqësor ka të bëjë me një interes më të madh kombëtar. Sot si kurrë ndonjëherë më parë duhet të jemi unikë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të historisë sonë më të re, të themeleve të shtetit demokratik të Kosovës, të drejtuesve të luftës sonë për çlirim. Duke besuar në drejtësinë e luftës sonë çlirimtare dhe në pafajësinë e drejtuesve të UÇK-së, bashkërisht duhet të kërkojmë të vendoset drejtësi, duke mos lejuar që tendencat politike për barazimin e viktimës me agresorin dhe për rishkrimin e historisë, të ndikojnë në marrjen e vendimit nga Trupi Gjykues!

Në vitin 1998 pas një ofensive të rëndë të forcave policore e ushtarake serbe në të gjitha zonat operative të UÇK-së publikisht përmes një shkrimi të botuar pata shprehur besimin se “Serbia duhet ta ketë të qartë se ofensiva kundër UÇK-së ka dështuar. Serbia ndoshta i ka marrë nën kontroll të përkohshëm disa territore, por UÇK-në nuk e ka shkatërruar dhe nuk mund ta shkatërrojë kurrë. UÇK-ja është vetë populli. Lufta çlirimtare e trimave të lirisë po hyn në një fazë të rëndësishme dhe duhet të kuptojmë një herë e përgjithmonë se vetëm vazhdimi i saj dhe një politikë më aktive mund të na çlirojë nga Serbia”.

Edhe sot, 28 vite pas, me të njëjtin besim në luftën çlirimtare të UÇK-së, e shpreh bindjen e palëkundur se ofensiva e egër e Serbisë dhe e qarqeve anti-Kosovë, e shprehur në narrativën e aktakuzës së Prokurorisë së Speciales, e cila shërbehet edhe me fabrikimet e prokurorisë serbe (gjë që e ka pranuar edhe vetë) do të dështojë, siç ka dështuar edhe tendenca skandaloze e akuzave monstruoze për trafikim të organeve. Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë lartë, në vlerat më sublime të kombit tonë! Historia e luftës çlirimtare të Kosovës nuk mund të rishkruhet! Drejtësia dhe e vërteta duhet të fitojnë! Prandaj, UÇK-ja sërish do të triumfojë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të…