Prokuroria e Hagës kërkon 45 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së
Në Gjykatën Speciale në Hagë sot nisin deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.
Prokurorja e Specializuar, Kimberly West e ka nisur fjalën e saj duke thënë se Gjykata Speciale është bërë “trup funksional, i suksesshëm në një periudhë relativisht të shkurtër”.
“Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”.
Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”.
Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.
“Në mënyrë që ta arrinin qëllimin e tyre, këta persona të akuzuar kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”.
Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”.



