NË VEND TË DIALOGUT ME AUTORIN, APEL TË MOS HARROJMË KËTË VEPËR MONUMENTALE
Në njëmbëdhjetëvjetorin e botimit të veprës “Mashtrimi i madh”, i autorit Bardhyl Mahmuti

Pasionet që i tërheqin njerëzit janë të ndryshme dhe varen nga çdo individ që ka të drejtë të pakontestueshme t’ia kushtojë kohën e vet. Nuk mund të them me saktësi momentin kur për mua leximi i librave u shndërrua në pasion, por mund të them se në ndërgjegjen time ka lëshuar rrënjë të thella thënia e Vicktor Hygosë: “Të lexosh është të mbjellësh rrënjë në mendje dhe ta bësh mendimin të lulëzojë”.
Megjithëse leximin e praktikoj çdo ditë, në këtë rast do të veçoj librin “Mashtrimi i madh”, të politologut Bardhyl Mahmuti, sepse duke lexuar shtjellimin që u bën ngjarjeve më tragjike të historisë moderne të Kosovës, kjo vepër arriti jo vetëm të lëshojë rrënjë në mendjen time, por të ngritë si monument kujtese të përjetshme tragjedinë që kemi pësuar si komb gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Që në fillim të kësaj trajtese, më duhet të theksoj se ata që kanë ndjekur zhvillimet e shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë dhe luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë, janë në dijeni se Bardhyl Mahmuti ka qenë tejet i angazhuar në përfaqësimin politik të kauzës sonë kombëtare. Ky fakt mund të duket si pengesë kur një “militant politik” merr përsipër të analizojë ngjarjet ku vet ka qenë i përfshirë. Në rastet e shumta, fakti i tillë rritë vigjilencën e lexuesit që të mos “gëlltisë” si të “vërteta shkencore” edhe interpretimet subjektive të autorit.
Mirëpo rezervat e tilla avullohen që në parathënien e librit, sepse Bardhyl Mahmuti sqaron se në argumentimet e tij ai “u është shmangur referencave të burimeve shqiptar, jo se këto burime janë më pak të besueshme në raport me burimet tjera, por për të shmangur mundësinë që kjo analizë të shihet si konfrontim i dy vizioneve: vizionit shqiptar për atë që ndodhi në Kosovë, përballë vizionit serb.” Për të shmangur këtë rrezik, autori shpreh “bindjen e plotë se lexuesi do të shohë zbulimin e së vërtetës, duke zhveshur ‘të vërtetën serbe’, dhe pikërisht për këtë arsye, një vend shumë i madh u është dhënë interpretimeve serbe dhe konfrontimit të këtyre interpretimeve me dëshmitë dhe rezultatet e publikuara nga organizata joqeveritare serbe dhe nga intelektualë serbë që nuk u pajtuan me politikën e gjenocidit serb në Kosovë.”
Duke u mbështetur kryesisht në argumente të autorëve serbe, Bardhyl Mahmuti arriti të zhvesh manipulimin që bëhet me paraqitjen e ngjarjeve të kësaj lufte në opinionin publik ndërkombëtar, dhe të ndërtojë një fortifikatë dëshmish që ndriçojnë të vërtetën e plotë të krimit të gjenocidit që ka kryer Serbia në Kosovë.
Kjo qasje shpartalloi në tërësi shtyllat ku mbështeteshin komunistë, socialistë, social demokratësh, të djathtës së vjetër e të re europiane, neonazistë dhe neofashistë, historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicist, të orientimit të djathtë e të majtë për ta “mbrojtur Evropën nga imperializmi amerikan, që kishte sulmuar ushtarakisht Serbinë”, dhe nxori në shesh se si rezultat i verbimit të tyre ideologjik me antiamerikanizëm, intelektualë të ndryshëm ishin shndërruar në shërbëtorë të përhapjes së gënjeshtrave të makinerisë propagandistike të Sllobodan Millosheviqit.
Zakonisht shërbimet e tilla që këta polikanë dhe intelektualë perëndimorë i bënë regjimit gjenocidal të Serbisë shoqërohen me përfitime të majme financiare, Bardhyl Mahmuti nuk lëshohet në hipoteza të tilla. Por duke nxjerrë në “argumentet” ku bazohen autorët e huaj si Serge Halimi, Bernard Lugan, Dominique Vidal, Dominique Venner, Gisèle Halimi, Regis Debray, Jean Marie Le Pen, Max Gallo, Bruno Mégret, Jean-Arnault Dérens, Xavier Raufer-in, e deri te Dick Marty e Carla del Ponte, janë sajesa të Shërbimit Sekret të Serbisë, të publikuara në të ashtuquajturit “Libra të bardhë”, i bën shërbëtorë të atij regjimi, qofshin me pagesë apo pa pagesë.
Përveç shpartallimit të sajesave të Shërbimit Sekret të Serbisë, që kishin për qëllim fshehjen e krimit të gjenocidit dhe shtrembërimin e të vërtetës, Bardhyl Mahmuti u vë përpara syve të çetës së mashtruesve, argumente të shumta që dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.
Përballë këtij realiteti faktik, merr kuptim të plotë thënia e Bertolt Brechtit: “Ai që nuk e njeh të vërtetën, thjesht është NAIV. Por ai që e njeh të vërtetën dhe e mohon atë, është BASTARD”. Pa marrë parasysh motivet, intelektualëve dhe politikanëve europian që u bënë instrumente të propagandës serbe për të fshehur krimin e gjenocidit, e gjejnë vendin e tyre në kategorinë dytë të thënies së Brechtit.
Përderisa Marin Luter King jep argumente të pakontestueshme se “njeriu vdes kur refuzon të mbrojë atë që është e vërtetë’’, duke lexuar “Mashtrimin e madh” bindesh se një kategori e caktuar politikanësh dhe intelektualësh perëndimor kanë dhënë shpirt, nëse shpirtin e tyre nuk e kanë shitur!
Edhe pse si bashkëveprimtar i autorit në rrugëtimin e gjatë për çlirimin e Kosovës kam qenë në dijeni për krimet monstruoze që kanë ndodhur në Kosovë, pena e mprehtë e Bardhyl Mahmutit më ka kthyer në ekranin e shpirtit tim të gjitha ato vuajtje, sakrifica dhe heroizmin e popullit tonë.
Të lumtë pena dhe guximi intelektual bashkëveprimtari im i pa lodhur, Bardhyl Mahmuti!
Qofsh i bekuar për jetë të jetëve!
Kërçovë, 9 shkurt 2026



