Haxhiu reagon pas kërkesës për 45 vjet burg për krerët e UÇK-së: Ky është shtrembërim i historisë
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albullena Haxhiu, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë së Gjykaës Speciale në Hagë, për dënim me 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar atë një akt padrejtësie dhe fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës.
“Kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës. Kjo nuk ka të bëj me përpjekje për drejtësi. Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se Serbia ka kryer krime lufte të dokumentuara, vrasje, masakrime, përdhunime seksuale si armë lufte, dëbime masive të popullsisë etj. “Këto krime janë të regjistruara dhe dëshmuara nga bota mbarë. E megjithatë Serbia nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze. Kriminelët e saj u ricikluan në pushtet, u amnistuan e u privilegjuan”.
“Në vend të gjykimit të agresorit, fatkeqësisht u votua një mekanizëm që sot mundohet të na e kriminalizojë rezistencën e popullit. UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb. Ky është shtrembërim i historisë. Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin”, ka shkruar Haxhiu.



