NATO-s i paskan “munguar” informacionet për UÇK-në

09 shkurt 2026 | 16:10
Vlora A. R. Jashanica
Vlora A. R. Jashanica

NATO “nuk paska ditur!

Dëshmitarët ndërkombëtarë pjesë integrale e NATO-s, nuk paskan pasur informacione të mjaftueshme edhe pse ishin vetë pjesë ndërhyrjes?!!
Deklaratat sipas të cilave dëshmitarët ndërkombëtarë nuk kanë pasur informacion të mjaftueshëm mbi strukturën dhe funksionimin e UÇK-së krijojnë një paradoks serioz logjik dhe institucional.
Ky reagim nuk ka të bëjë me vlerësimin e provave konkrete apo me procesin gjyqësor në zhvillim, por me koherencën e një teze të përgjithshme dhe pasojat që ajo prodhon në leximin e historisë së ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë.
Paradoksi është i qartë:
Si mund të pranohet dëshmia e aktorëve të lartë ndërkombëtarë si relevante për kontekstin historik e politik, ndërkohë që i njëjti grup dëshmitarësh përshkruhet më pas si “pa informacion” mbi aktorin kryesor në terren?
Përfshirja e figurave të tilla si Wesley Clark, një nga arkitektët kryesorë të ndërhyrjes së vitit 1999, e bën këtë tezë edhe më problematike.
Pranimi i dëshmisë së tij nënkupton njohjen e peshës së tij institucionale dhe operative. Ta reduktosh më pas këtë peshë të Clark-ut dhe të tjerëve duke i cilësuar si “informacion i pamjaftueshëm” krijon një diskrepancë të brendshme që nuk mund të anashkalohet.
Ndërhyrja e NATO nuk ishte një akt abstrakt. Ndërhyrja e NATO-s u ndërtua mbi analiza të detajuara të realitetit në terren, identifikim të aktorëve relevantë dhe vlerësime të strukturave reale të autoritetit.
NATO nuk operon mbi supozime të paqarta dhe as mbi mungesë informacioni elementar për palët në luftëra.
Të thuhet e kundërta nuk është thjesht debat interpretativ por është krijim i një kontradikte mes veprimit të djeshëm dhe leximit të sotëm.
Po ashtu, prania e KFOR-it dhe administrimi nga UNMIK u bazuan në njohje funksionale të realitetit ekzistues në Kosovë – komunikim, koordinim dhe menaxhim sigurie, procese që nuk janë të mundshme pa një kuptim real të strukturave në terren.
Në të drejtën penale dhe historike ndërkombëtare, ekziston një dallim i qartë mes mungesës së dokumentimit formal dhe mungesës së informacionit real.
Strukturat që veprojnë në kushte lufte dhe represioni nuk maten me standardet burokratike të kohës së paqes.
Vendosja e një kriteri të tillë vetëm në raste të caktuara krijon perceptimin e standardit të dyfishtë, i cili nuk i shërben as drejtësisë, as qartësisë historike.
Problemi nuk qëndron te dëshmitarët ndërkombëtarë, por te një narrativë që, duke i pranuar fillimisht si autoritete relevante, i zhvesh më pas nga kredibiliteti informativ.
Nëse ky modalitet interpretimi ndiqet deri në fund, atëherë del një përfundim ndryshe, por që lind si pasojë: se NATO paska ndërhyrë pa informacion të mjaftueshëm për realitetin dhe aktorët që ka mbështetur.
Dhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë, sipas të njëjtës rrjedhë logjike, do të duhej pranuar se kritikat e Serbia ndaj ndërhyrjes së NATO-s paskan pasur bazë.
Ky është pikërisht paradoksi që kërkon shumë vëmendje.
Një interpretim i tillë nuk godet një subjekt historik të veçantë por e zhvendos fokusin dhe vë në pikëpyetje vetë koherencën e ndërhyrjes ndërkombëtare.
Kjo pra e gjithë kjo, në mënyrë të tërthortë, mund të ngre një pyetje që duhet trajtuar me shumë kujdes dhe me shumë vëmendje: a mos po “përdoret UÇK-ja” për të relativizuar ose për të goditur legjitimitetin e vendimmarrjes së NATO-s?
Ruajtja e koherencës historike dhe institucionale kërkon që interpretimet e sotme të mos prodhojnë përfundime që bien ndesh me realitetin, mbi të cilin është ndërtuar veprimi ndërkombëtar.
Përndryshe, rreziku nuk është vetëm keqinterpretimi i historisë, por ndërtimi i një narrative që përmbys themelet e ndërhyrjes për Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, ka thënë se ajo që…