Betim Gjoshi: E gjithë Kosova është me Thaçin, Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin
Zyrtari i lartë i PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar lidhur me proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke shprehur mbështetje të fuqishme për presidentin Hashim Thaçi, kryetarin Kadri Veseli, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Përmes një postimi publik, Gjoshi ka theksuar se, sipas tij, e gjithë Kosova qëndron në krah të tyre, duke përjashtuar, siç u shpreh, një numër shumë të vogël individësh që nuk e përfaqësojnë vullnetin e popullit.
Ai ka vlerësuar se ajo që po ndodh në Hagë nuk është një gjykim individual, por një përpjekje për të vënë në bankën e të akuzuarve vetë luftën çlirimtare të Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si shtet i lirë dhe sovran.
Sipas Gjoshit, përmes këtyre proceseve po tentohet të goditet dinjiteti i çdo shqiptari që nuk u pajtua me shtypjen, vrasjet dhe spastrimin etnik, si dhe po sulmohet fryma e rezistencës dhe sakrifica shekullore e popullit shqiptar.
“Por kjo frymë nuk gjykohet dhe nuk mposhtet”, ka theksuar ai, duke shtuar se ish-udhëheqësit e UÇK-së nuk janë vetëm, as dje, as sot.
Në fund, Gjoshi ka ftuar qytetarët që më 17 shkurt të bashkohen në, siç e quajti ai, marshin më të madh qytetar, në mbrojtje të drejtësisë, lirisë dhe vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës.



