Njeriu që ekzistencën minimale e formalizoi në ekzistencë absolute
Ismail Syla
Dy mijë vjet histori shqiptarët jetuan në pragun e ekzistencës minimale.
Prej vitit 1912 kjo ekzistencë pësoi çarje.
Një pjesë e shqiptarëve jetoi me shtet të dobët, një pjesë tjetër pa shtet fare.
Kjo është periudha më e rëndë e vazhdimësisë minimale, sepse tani ekziston ideja e shtetit, por jo përvoja e tij e barabartë.
Kosova nën Serbi (1912–1941), vijon vazhdimësinë nën shtet armiqësor. Jetohet jo për t’u zhvilluar, por për të mos u zhdukur.
Lufta e Dytë Botërore sjell një çarje pa zgjidhje: dhunë, por pa hapje.
Nën Jugosllavi (1945–1966), vazhdimësia shqiptare mbahet nën frikë totale. Jeta vazhdon, por pa zë.
Nga 1968 deri më 1981, vjen një frymëmarrje e kontrolluar: mjaftueshëm hapësirë për të mos u mbytur, por jo për të ecur përpara.
Viti 1981 është pika e dytë kritike: demonstratat shënojnë kalimin nga jeta që vazhdon në jetën që kërkon kuptim politik. Këtu vazhdimësia nuk mjafton më si instinkt – ajo kërkon formë.
Nga 1989 deri më 1997, alternativa paqësore bëhet kulmi i vazhdimësisë minimale. Durimi institucionalizohet. Jetohet paralelisht, mbahet shoqëria në këmbë – shtyhet koha.
Vitet 1998–1999 shënojnë fundin e kësaj strategjie.
Kur dhuna kalon pragun biologjik – djegie fshatrash, dëbime masive, vrasje – vazhdimësia minimale kolapson. Ajo nuk funksionon më.
Në këtë pikë lind lufta. Jo si mit, por si reaksion ekzistencial i fundit.
UÇK-ja nuk synon heroizëm, synon moszhdukje.
Lufta e bën Kosovën çështje ndërkombëtare dhe mbyll ciklin njëqindvjeçar të jetës në prag.
Vazhdimësia nga minimale, bëhet çarje.
Në këtë hark shekullor këto personalitete luajtën rol historik:
Hasan Prishtina shtyu përpara idenë e kryengritjes.
Azem Bejta shfaqi rezistencën e hershme të armatosur.
Shaban Polluzha i kundërvihet tradhtisë së madhe.
Adem Demaçi presionin e kthen në ide.
Ibrahim Rugova e institucionalizoi durimin.
Adem Jashari flijimin e ngriti në figurë legjendare.
Më 17 shkurt 2008 ekzistencën minimale që u bë liri, çarjen përmbyllje institucionale e bëri Hashim Thaçi, shpallësi i pavarësisë së Kosovës me fjalinë e artë:
“… shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik..”
Ashtu siç ka shekuj të shtypjes deri në prag të ekzistencës minimale, ka çaste kur në sekonda sublimohet qëndrueshmëria ekzistenciale.
Në qendër të atyre sekondave qëndroi ky burrë në mes nesh. (7 prill 2016- dita e inaugurimit të Thaçit President i Kosovës- foto: Astrit Ibrahimi).



