Mbrojtja flet për incidentin e Qirezit

11 shkurt 2026 | 13:33

Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, pas rikthimit në seancë publike foli për incidentin në Qirez, kur për afër 48 orë ishte ndaluar një delegacion prej disa anëtarësh të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1998.

“Delegacioni parlamentar u mbajt në ndalim për 48 orë. Për arsye të shpjeguara, ky ndalim 48 orësh nuk mund të shkelë të drejtën ndërkombëtare themelore. Provat tregojnë se ky ndalim nuk ishte një sulm i gjerë”, tha Mishetiq.

Ai argumentoi se nuk ka asnjë dyshim që ndalimi të jetë bërë për arsye ushtarake, “siç është frika që delegacioni ka shkuar pa lajmëruar për të inkurajuar dorëzimin në kohën kur Qirezi ishte nën sulm. Ky ndalim nuk ka pasur qëllim të realizojë qëllimin kriminal të pretenduar”.

Mishetiq tha se Gjergj Dedaj kishte dhënë dëshmi në Hagë se në Qirez nuk ishte Thaçi dhe se nuk ishte lënduar gjatë ndalimit. Ai kishte tërhequr deklaratën e bërë më 2014 në EULEX.

Avokati i Thaçit tha se ZPS-ja u mundua të thoshte se në një konferencë për media të delegacionit parlamentar të LDK-së të mbajtur pas incidentit, dora e Dedajt ishte e mavijosur. Por, Mishetiq argumentoi se në videon e ofruar si dëshmi nga mbrojtja, del se dora e Dedajt nuk kishte mavijosje dhe se në videon e transmetuar nga ZPS-ja, në fakt ishte hija e kamerave që binte mbi dorën e Dedajt, e nuk bëhej fjalë për mavijosje.

“Dëshmitë e kohës tregojnë se delegacioni nuk është abuzuar në mënyrë të rëndë, as në Qirez as në Baicë dhe nuk ka dëshmi të kohës nga viti 1998 që kjo ka ndodhur”, tha Mishetiq.

Sipas tij, për Baicën, delegacioni kishte akuzuar për keqtrajtim Sabit Gecin dhe ZPS-ja nuk “ka treguar se atë ta ketë drejtuar Hashim Thaçi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe…