Avokatja: A po thotë ZPS -ja se ShBA-ja dhe Evropa dështuan ta kuptonin qëllimin e Thaçit? Si është e mundur që paska arritur t’i gënjejë?
Nina Tavakoli, avokate e Hashim Thaçit, në deklaratën përmbyllëse të ekipit të mbrojtjes në Gjykatën Speciale në Hagë, ka thënë se pretendimi i prokurorisë se qeveria e përkohshme e vendit dikur përdorej nga të akuzuarit si mjet për “një plan të përbashkët kriminal”, rrëzohet nga disa faktorë.
Fillimisht, ajo ka thënë se ekzekutivi përbëhej nga shumë parti dhe mbikëqyrej ndërkombëtarësht. Ajo ka thënë se kjo qeveri “nuk ishte një mekanizëm pushteti”.
“Krijimi i saj u mbështet nga ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe fuqi të tjera, si mënyrë për të unifikuar shqiptarët e Kosovës. Kjo mbështetje ndërkombëtare ngre dyshime se ajo u krijua si shtysë për të ekzekutuar një plan të përbashkët kriminal nga të akuzuarit për të marrë nën kontroll Kosovën”, ka thënë Tavakoli.
Në këtë kontekst, Tavakoli ka thënë se prokuroria s’ka “pikë prove” për të argumentuar pretendimet e veta.
Sipas Tavakolit, pretendimi i prokurorisë do të qëndronte vetëm nëse ajo pretendon se ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Evropa ishin në mbështetje të një plani të tillë kriminal.
“A po thotë ZPS-ja që po bëhet fjalë për një dështim masiv të diplomatëve evropiane dhe shërbime të inteligjencës evropiane, të cilat nuk e kuptuan asnjëherë që ky ishte qëllimi i vërtetë. Si është e mundur që klienti ynë, që ishte vetëm 29 vjeç në atë kohë, t’i ketë gënjyer të gjithë ata?”, ka thënë avokatja.
Ajo ka thënë se Thaçi, në cilësinë e kryeministrit të asaj qeverie të përkohshme nuk kishte pushtet real, duke shtuar se nuk mund të nënshkruante as marrëveshjen për çarmatosjen e UÇK-së, siç kishte dëshmuar ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan.
Tavakoli ka pyetur prokurorinë se si Thaçi, sipas ZPS-së, synonte ta merrte nën kontroll Kosovën, kur ishte pro armatosjes së UÇK-së, bashkëpunonte me UNMIK-un dhe e kishte pranuar humbjet në zgjedhjet e pasluftës deri në vitin 2007.
“Si mundet që një person i tillë të të duket një person që po mundohej të kishte dhe të fitonte kontroll mbi Kosovën? Ne themi që ky nuk është rasti”, ka thënë Tavakoli.



