Rikthehet në Kuvend Bylbyl Sokoli
Super trajneri i njohur i futbollit dhe ish-deputeti, Bylbyl Sokoli, pritet të rikthehet në Kuvendin e Kosovës.
Sokoli, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 fitoi mandatin e deputetit, në zgjedhjet e 28 dhjetorit ishte renditur i 70-ti për nga numri i votave të siguruara, duke pasur kështu gjasa shumë të vogla për të zënë një ulëse në Parlament.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje, subjekti i tij politik, ka arritur të sigurojë mbi 50 për qind të votave, duke fituar gjithsej 57 mandate në Kuvend. Pas formimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re, disa nga deputetët e zgjedhur janë emëruar ministra në kabinetin “Kurti 3”.
Kjo situatë ka rritur gjasat që të paktën 10 deputetë të tjerë nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje të hyjnë në Kuvend, duke zëvendësuar ata që kanë marrë poste ekzekutive. Në mesin e tyre pritet të jetë edhe Bylbyl Sokoli, i cili shumë shpejt mund të rikthehet në ulëset e Parlamentit të Kosovës.



