Refuzohen kërkesat e avokatëve mbrojtës për arrest shtëpiak ndaj të akuzuarve në rastin Lika
Pesë të akuzuarit nga Prokuroria Themelore për vrasjen e rreshterit të Policisë Muhamet Lika, më 1 prill 2025, Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika e Shkëlqim Kuka, si dhe Diamant Gashi, i akuzuar për dhënie ndihmë personave pas kryerjes së veprës, janë deklaruar si të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Prokurori i rastit, Ismet Rrahmani, në seancën fillestare ka deklaruar se të pesë të pandehurit kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.9 i lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Ndërsa një i pandehur, Diamant Gashi, ka kryer veprën penale dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale nga neni 380 paragrafi 3, lidhur me paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika e Shkëlqim Kuka sepse më datë 01 prill 2025, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e dytë të hyrjes së ndërtesës, në veprim me të miturin Rejhan Bela, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin, zyrtarin policor, rreshterin Muhamet Lika.
Kërkesa e avokatëve mbrojtës të Rilind Murati dhe Diamant Gashi që ndaj tyre të hiqet masa e paraburgimit dhe të zëvendësohet me arrest shtëpiak është kundërshtuar nga prokurori i rastit dhe e aprovuar nga gjykatësi i rastit, Ilir Bytyqi.



