Përfaqësuesit serbë në Kosovë kërkojnë që për çështjet e arsimit dhe shëndetësisë të diskutohet në Bruksel
Përfaqësuesit e komunave me shumicë serbe në Kosovë kanë miratuar një deklaratë përmes së cilës u tha se refuzohet dhe dënohet çdo veprim apo ndërhyrje që mund të rrezikojë punën dhe ofrimin e shërbimeve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore.
Këto çështje ata kërkuan që të zgjidhen përmes dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në Mitrovicë të Veriut më 12 shkurt, me ftesë të Listës Serbe u mbajt një seancë e përbashkët e komunave me shumicë serbe, ku morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore dhe arsimore në mjediset e banuara me serb në Kosovë, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
“Në vlerësimin tonë, të gjitha çështjet e hapura, përfshirë edhe statusin e këtyre institucioneve, duhet të zgjidhen ekskluzivisht përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe ne kundërshtojmë në mënyrë absolute veprimet e dhunshme, të njëanshme, si dhe çdo veprim tjetër që do të rrezikonte funksionimin e këtyre dy sektorëve”, thuhet në deklaratën e miratuar në këtë takim, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Po ashtu, përmes deklaratës përshëndeten përpjekjet e vendeve të QUINT-it për gjetjen e një “zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të bazuar në parime të drejtësisë”.
Në deklaratë thuhet po ashtu se “veprimet e njëanshme kundër institucioneve arsimore dhe shëndetësore, që merren jashtë dialogut në Bruksel dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, si dhe zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, “përbëjnë spastrim etnik administrativ të popullit serb”.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, tha më herët se në këtë takim do të diskutohej për situatën politike dhe të sigurisë pas njoftimit për zbatimin e plotë të ligjeve për të huajt dhe për automjetet.
Simiq thotë Ligji për të huajt “rrezikon studentët dhe të punësuarit” serbë
Në fillim të takimit, zyrtari i Listës Serbe dhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, tha se Ligji për të huajt do të rrezikojë studentët, të punësuarit në institucionet e Serbisë, biznesmenët, serbët e zhvendosur që kanë pronë në Kosovë, si dhe klerin e Kishës Ortodokse Serbe, duke shtuar se për të gjitha këto është njoftuar edhe bashkësia ndërkombëtare. “Janë vënë në rrezik themelet e ekzistencës sonë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta mbrojtur popullin tonë. Në këtë situatë ku ndodhemi na ka sjellë regjimi në Prishtinë me veprime të njëanshme gjatë viteve të fundit, me qëllim që populli serb të mos mund të mbijetojë”, u shpreh ai.
Simiq theksoi se Lista Serbe nuk ka marrë pjesë në asnjë negociatë, ashtu siç po e akuzojnë disa subjekte të tjera politike.
Takimi më pas u zhvillua prapa dyerve të mbyllur.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, i ka ftuar kryetarët e komunave me shumicë serbe në një takim të premten, me qëllim që të bisedohet për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit.
Dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku, Graçanica, Shtërpca, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Novobërda – udhëhiqen nga kryetarë të Listës Serbe, dhe për momentin nuk dihet nëse ata do t’i përgjigjen kësaj ftese.
Njoftimi për fillimin e integrimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore përkon me nisjen e zbatimit të fazës së parë të aplikimit të plotë të Ligjit për të huajt, që cila do të zgjasë deri më 15 mars dhe parasheh një periudhë informimi.



