Trombozat e rralla pas vaksinës anti-Covid, studimi i ri shpjegon shkakun

13 shkurt 2026 | 08:28

Një studim i fundit ka zbuluar se rastet e rralla të trombozës pas vaksinës anti-COVID të AstraZeneca lidhen me një proteinë të adenovirusit të modifikuar, që përdoret për të nxitur përgjigjen imunitare ndaj SARS-CoV-2.

Tek disa persona me një profil të veçantë gjenetik, kjo proteinë mund të shkaktojë prodhimin e antitrupave që, në vend të virusit, lidhen me një faktor të mpiksjes së gjakut (PF4), duke krijuar tromboza dhe hemorragji, përcjell A2 CNN.

Kjo gjendje e rrallë, e njohur si trombocitopenia trombotike imune e induktuar nga vaksina (VITT), është vërejtur kryesisht tek gratë nën 50 vjeç gjatë fushatës fillestare të vaksinimit që ishin imunizuar me vaksinën AstraZeneca.

Studiuesit australianë të Flinders University kanë identifikuar se tek disa pacientë, qelizat B prodhojnë antitrupa me ngarkesë të tepruar negative, të cilët sulmojnë PF4 me ngarkesë pozitive, duke nisur një reagim zinxhir që formon mpiksje dhe shteron trombocitet, duke shkaktuar hemorragji, shkruan A2 CNN.

Pavarësisht këtyre rasteve, ato janë jashtëzakonisht të rralla. Në Evropë u regjistruan vetëm rreth 900 raste VITT nga më shumë se 3 miliardë doza të dhëna globalisht. Agjencitë rregullatore kanë konkluduar se përfitimet e vaksinave tejkalojnë rreziqet e rralla.

Zinxhiri kompleks i reaksioneve përshkruhet në një artikull të botuar në “New England Journal of Medicine”, i cili është i rëndësishëm për zhvillimin e vaksinave të ardhshme që përdorin adenovirusin si vektor, të cilat janë më të lehta për prodhim dhe ruajtje dhe përdoren për sëmundje si tuberkulozi, Ebola dhe meningiti.

Njohja e mekanizmit do të ndihmojë në parandalimin e trombozave të rralla dhe përmirësimin e sigurisë së vaksinave të reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos pas…