Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja në vend, duke e konsideruar këtë periudhë si një mundësi të rëndësishme për përshpejtimin e reformave ekonomike dhe forcimin e klimës së investimeve. Me këtë rast, OTKT ka përgëzuar Qeverinë Kurti 3 të formuar nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti, duke rikonfirmuar angazhimin e saj për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e reja.
Sipas Odës, fokusi duhet të jetë në thjeshtimin e proceseve administrative, digjitalizimin e shërbimeve publike dhe krijimin e kushteve të favorshme në sektorët prioritarë si energjia, infrastruktura dhe prodhimi. Këto masa, sipas OTKT-së, do të kontribuonin në tërheqjen e investimeve strategjike, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, sektorit real, energjisë dhe teknologjisë së informacionit. Po ashtu, theksohet se një diplomaci ekonomike më aktive dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovë dhe Turqi do të ndikonin drejtpërdrejt në rritjen e eksporteve dhe të investimeve afatgjata.
Për të siguruar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, OTKT vë në pah rëndësinë e dialogut publiko–privat në hartimin e politikave të zbatueshme dhe afatgjata, duke shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë aktive e këtij procesi. “Oda Tregtare Kosovaro Turke është e gatshme të kontribuojë si partner aktiv në mbështetje të reformave që nxisin rritjen ekonomike, rritjen e mirëqenies dhe pozicionimin e Kosovës si një destinacion i besueshëm për investime”, thuhet në urim. Në emër të Bordit Drejtues të Odës Tregtare Kosovaro Turke ka uruar krijimin e institucioneve, Zëvendëskryetari Ayhan Demirkıran.