Irani sinjalizon kompromise për marrëveshje bërthamore me ShBA-në

15 shkurt 2026 | 09:37

Irani është i gatshëm të shqyrtojë kompromiset për të arritur një marrëveshje bërthamore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse amerikanët janë të gatshëm të diskutojnë heqjen e sanksioneve, ka thënë një ministër iranian për BBC-në.

Zyrtarët amerikanë kanë theksuar vazhdimisht se është Irani, e jo SHBA-ja, ai që po pengon përparimin në këtë proces të gjatë negociatash.

Të shtunën, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se presidenti Donald Trump preferon një marrëveshje, por se arritja e saj është “shumë e vështirë” me Iranin.

Megjithatë, në një intervistë për BBC-në në Teheran, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Majid Takht-Ravanchi, tha se topi është “në fushën e Amerikës për të dëshmuar se dëshiron të arrijë një marrëveshje. Nëse janë të sinqertë, jam i sigurt se do të jemi në rrugën drejt një marrëveshjeje”.

Trumpi ka kërcënuar me sulme ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje për të kufizuar programin bërthamor, ndërsa SHBA-ja po shton praninë ushtarake në rajon.

Kjo vjen pas shtypjes së dhunshme nga Irani të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar, për të cilat grupet për të drejtat e njeriut raportojnë se kanë lënë mijëra të vrarë.

SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime indirekte në shtetin e Gjirit, Oman, në fillim të shkurtit. Takht-Ravanchi, i cili ka konfirmuar se një raund i dytë do të mbahet të martën në Gjenevë, tha se ato kanë qenë “pak a shumë në drejtim pozitiv, por është herët për të gjykuar”. Edhe Trump i ka përshkruar këto bisedime si pozitive.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian theksoi ofertën e Teheranit për të holluar uraniumin e pasuruar në nivelin 60% si dëshmi të gatishmërisë për kompromis.

Ky nivel, afër gradës së nevojshme për armë, ka thelluar dyshimet se Republika Islamike po lëviz drejt zhvillimit të një arme bërthamore – diçka që Irani ka mohuar gjithmonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkencëtarët në Universitetin e Minesotas, në punimin “Ushqimi si informacion…