NË KËRKIM TË GJURMËVE TONA KOMBËTARE
(Mexhid Mehmeti “Tejpërtej trojeve shqiptare” (roman për fëmijë),sh.b. “Lena” Prishtinë, 2026, fq. 190).
Nga Bilall MALIQI
Kur shkrimtari gjurmon gjetje të reja motivuese, të veçanta, të paprekura deri më tani, por interesante si për lexuesit, po ashtu edhe për vlerësuesit, atëherë vepra del e mirëpritur, e dashur dhe e rrallë për letërsinë tonë. Një gjetje të tillë motivuese e hasim te romani për fëmijë i shkrimtari Mexhid Mehmeti me titull “Tejpërtej trojeve shqiptare”, botuar nga shtëpia botuese “Lena” në Prishtinë më 2026.
Ky roman i ndarë në 63 kapituj, me sa di unë i pari i këtij lloji në letërsinë shqipe për fëmijë, në të cilën paraqitet një udhëtim i gjatë nëpër trojet shqiptare, dhe jo vetëm kaq, sepse brenda romanit paraqiten kërkime të gjurmëve tona, pjesëve të ndara të Shqipërisë Natyrale, kurse ideja e autorit është që përmes faqeve të romanit, tok me personazhet si: Gjyshi Shkrimtar, Gjyshja, Marsi, Blini e Atlantida, të rrugëtojnë tejpërtej trojeve shqiptare. Të gjithë bashkë, nisin rrugëtimin interesant në disa shtete e qytete të trojeve etnike shqiptare, të ndara padrejtësisht nga të tjerët dhe ndeshen me pamje të mrekullueshme e piktoreske të natyrës, fshatrave, qyteteve e monumenteve të shumta të trashëgimisë kulturore kombëtare e historike shqiptare, për të cilat ju flet dhe ju jep sqarime të duhura Gjyshi Shkrimtaror me njohuritë e tij të një eruditi.
Rrugëtimi nis nga shtëpia e Gjyshit Shkrimtar në Fushë Kosovë, fillimisht në drejtim të Luginës së Preshevës, për të vazhduar në Sanxhak, Mal të Zi, Shqipëri, Çamëri, Maqedoni të Veriut e Kosovë, duke udhëtuar në qytete të rëndësisë së veçantë, si nga pamjet piktoreske, po ashtu edhe nga pesha e historisë, arkitektonisë dhe kulturës në përgjithësi, të cilat, bukur mirë, ua shpjegonte Gjyshi Shkrimtar gjatë itinerarit të tij të udhëtimit.
Pjesë e shpjegimeve të tilla diku-diku ishte edhe Gjyshja, ngase fëmijët përherë ishin kurioz të dinë më tepër për vendet të cilat i vizitonin.
Roman tepër edukativ për fëmijë
Romani “Tejpërtej trojeve shqiptare” i shkrimtarit Mexhid Mehmeti është një roman tepër edukativ, por edhe zbavitës për fëmijë, gjithnjë duke u thirrur në brumin që e ka ofruar autori, si në ndërtimin e fuqishëm të brendisë së romanit, korrespondimin bukur të mirë të personazhve me njëri-tjetrin, dialogjet aktive, ashtu edhe me forcimin e romanit me ngjarje shumë interesante që s’do mend se e shprishin kërshërinë e fëmijëve, aventurat e çamarrokëve deri tek mësimi i tyre me ngjarjet historike të popullit shqiptar nëpër kohë dhe situata të ndryshme. Intersimi i tyre për shumë kala, lumenj, male e kodra nëpër vende të ndryshme, njohja me vende të rëndësishme të kulturës, arsimit e gjuhës sonë të bukur si dhe interesimi i tyre për fatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Sanxhakut, Ulqinit me pjesët e tjera shqiptare në Mal të Zi, Çamëria në brendi të Greqisë dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të ndarë padrejtësisht. Kjo gjetje e autorit me tematikë e shtjellim të qëlluar, përbëjnë një lidhshmëri semantike duke e ngritur veprën në një piedestal më të lartë, për ta bërë atë jo veç udhëpërshkrues, por edhe historik.
Pikat kyçe të romanit
Udhëtimi gjeografik: Gjyshi Shkrimtar me ekipin e vet, vizitojnë shumë vende tejpërtej trojeve shqiptare, në të cilën autori i përshkruan në detaje pikat më të rëndësishme të historisë, trashëgimisë sonë, kulturës e të letërsisë gjithandej këtyre trojeve si një ciceron i vërtetë. Këtu shihet se autori ka një diapazon më të gjerë të diturisë, jo vetën në letërsi, por edhe në histori e trashëgimi të paluajtshe dhe atë shpirtërore.
Misioni edukativ
Përveç argëtimit romani synon të ngjallë tek fëmijët dashurinë e palëkundur për atdheun, historinë dhe traditat e ndryshme kulturore e krahinore.Takimet me njerëzit në secilën ndalesë mëson për karakteristikat e zonës, mikpritjen, dialektet dhe zakonet shqiptare.
Kur themi se romani është i përshtatshëm për fëmijë atëherë thirremi në: Gjuhën e pasur dhe të kuptueshme, ngjarjet, lëvizjet, pyetjet e përgjigjet e shpeshta duke mos lejuar as personazhet e as lexuesin që të mërzitet.
Shkrimtari Mexhid Mehmeti në brendi të këtij romani ka ditur bukur mirë se çka t’ju servojë lexuesve të vegjël si diçka të rrallë, të veçantë, diçka që nuk kanë lexuar deri më tani… Kjo, kujtoj, e përmban veçantinë e këtij romani.
Gjatë leximit të librit, lexuesi do të përjetojë dhimbje e mallëngjim. Dhimbje për tokat tona të ndara nga Kongresi i Londrës, që sot e këtë ditë kanë ngelur të kufizuara në të drejtat e tyre të secilës fushë jetësore dhe mallëngjim të pasosur për bukuritë magjepsëse të vendeve historike të Shqipërisë Etnike, lumenjve, liqeneve, Detit Adriatik e Jon… Për të gjitha këto, fëmijët do të mësojnë në shkollat e tyre, në lëndët e hisotrisë e gjeografisë. Ashtu edhe për gjuhën e pasur të rrëfimit në roman si dhe për mësimet e saj për letërsinë tonë të gjithmbarshme.
Romani “Tejpërtej trojeve shqiptare” i Mexhid Mehmetit, mund të lexohet edhe si libër me tregime të shkurtëra, megjithëse kapitujt janë të lidhura në mes veti, si me ngjarje ashtu edhe me personazhe, prandaj, ky roman, i këndshëm për lexim dhe për shtjellim, ka vlerë të lartë artistike dhe do të jetë shumë i dashur dhe i këndshëm për secilin fëmijë që e lexon. Po ashtu, libri do t’i bëjë nder edhe letërsisë sonë për fëmijë si një roman i rrallë me veçantitë e tij si në aspektin artistik ashtu edhe në atë përmbajtësor.
Preshevë, shkurt 2026



