Hamza: Zotimet e Kurtit s’reflektohen në buxhetin e vitit 2026
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se shumica e zotimeve që kryeministri Albin Kurti i ka përmendur në ekspozenë e tij në Kuvend kur ka prezantuar planet e tij të ardhshme, nuk janë përfshirë në projekt-buxhetin e prezantuar nga qeveria për këtë vit.
Hamza ka thënë në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend se standardi i jetesës në Kosovë është përkeqësuar nga inflacioni, rritja e çmimeve.
“Zoti kryeministër, ju në ditën e votimit të qeverisë e prezantuat një ekspoze. Kishte gjëra të rëndësishme në atë ekspoze. Problemi qëndron që shumica prej tyre nuk janë të reflektuara në këtë buxhet. Dhe diçka që s’e ka kontruksionin financiar, mbetet në nivel të projekteve ideore dhe presin ndoshta në një periudhë në të ardhmen që të realizohet”, ka thënë ai.
Hamza ka përmendur edhe premtimin e Kurtit për rritjen e pagës mesatare.
“Ju premtuat pagë mesatare mbi 1000 euro dhe nëse e shikojmë pagën mesatare për vitin 2024 në sektorin publik është 668 milionë euro. Në vitin 2025 ka pasur rritje të pagës për një koeficient dhe ka shkuar në 770. Dhe për të mbërritur paga mesatare në sektorin publik në mbi 1000 euro duhet të ketë rritje të pagave për 30 për qind. Dhe kjo, tabelën për vitin 2026, 27 dhe 28 nuk është reflektuar”, ka thënë ai.
Hamza ka përmendur edhe projekte të tjera të premtuara nga Kurti.
“500 milionë euro për Brezovicën. Qysh? Përmes investitorëve privatë? Kur?”, ka pyetur Hamza.
Kurti ka përmendur edhe Unazën e Prishtinës gjatë ekspozesë së tij në ditën kur ishte zgjedhur kryeministër.
Hamza ka thënë se “Unaza e Prishtinës nuk është në buxhet”.
“Lëre që s’është në buxhet Unaza e Prishtinës, por buxheti i Komunës së Prishtinës nuk është pjesë e këtij buxheti fare”, ka thënë ai, duke kërkuar nga ministri Murati që ta përfshijë kryeqytetin në buxhetin e shtetit.



