Askush më shumë krenari dhe lavdi, sesa UÇK-ja nuk i ka dhënë popullit të Kosovës dhe historisë së tij!
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, ka thënë se askush më shumë krenari dhe lavdi sesa UÇK-ja nuk i ka dhënë popullit të Kosovës dhe historisë së tij!
Ajo përmes një postimi në “Facebook” ka bërë thirrje për protestë mazive më 17 shkurt.
“Popujt që kanë rrugëtuar në histori dhe i kanë mbijetuar brutalitetit të saj, nuk ka se si mos të jenë krenarë për qenësinë e tyre në ditët e sotme. Askush më shumë krenari dhe lavdi, sesa Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk i ka dhënë popullit të Kosovës dhe historisë së tij! Si grua dhe si e re në atë botë, kur burrat e gratë çlirimtare kanë sakrifikuar jetërat, jam dëshmitare e sakrificave. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë përgjegjësia frymëzuese e popullit të Kosovës në rrugëtimin e tij për liri”, ka shkruar Ismaili në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se përpjekja, rruga, detyrat, misionet, protestat, aktivizmi dhe lufta kanë qenë trasejë të saja kundër nxitjeve agresive dhe egërsisë së shtetit okupator serb ndaj mohimit të çdo gjëje shqiptare.
“Kur duhet të kujtojmë për madhështinë dhe lavdinë e saj, sot kujtojmë në paplotëni, të papërmbushur, të pabashkuar. Sepse liderët e kësaj ushtrie nuk janë mes nesh! Kjo deklaratë imja, si thirrje për protestën e 17 shkurtit, #drejtësijopolitikë, iu dedikohet burrave e grave për t’u plotësuar bashkërisht, për t’u përmbushur bashkërisht, për t’u bashkuar si frymëzim për përgjegjësinë që kemi ndaj lirisë që gëzojmë sot, dhe për më tepër krenarisë për këtë luftë që ua kemi borxh t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme. Shihemi më 17 shkurt 2026 në ora 14:00, në sheshin Skënderbeu!”, ka shkruar Ismaili.



