Rast i rrallë, në Spitalin e Mitrovicës mjekët heqin tumor rreth 4 kilogramë

16 shkurt 2026 | 11:56

Një intervenim i ndërlikuar kirurgjik është realizuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Pacientja me inicialet Sh.K. (e lindur në vitin 1968) u pranua në repartin e Kirurgjisë me ankesa për dhimbje të forta, fryerje të barkut dhe pengesa serioze në tretje (obstipacion).

Pas ekzaminimeve të detajuara imazherike dhe laboratorike, ekipi mjekësor e diagnostikoi pacienten me Tumor Permagna abdominis (tumor me përmasa shumë të mëdha në bark, rreth 4 kilogramë). Po ashtu, ajo kishte edhe Peritonitis serosa (inflamacion i membranës së barkut me grumbullim lëngu).

Për shkak të rrezikut dhe përmasave të masës tumorale, u vendos për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike. Operacioni konsistoi në Extirpatio tumoris in toto (heqjen e plotë të tumorit), eksplorimin e hollësishëm të zgavrës së barkut, pastrimin (lavazhin) dhe vendosjen e drenazhit.

Gjatë operacionit, ekipi arriti të hiqte me sukses masën tumorale që peshonte rreth 4 kilogramë, duke i rikthyer pacientes funksionet vitale dhe duke eliminuar rrezikun për jetën.

Aktualisht, pacientja është në gjendje stabile shëndetësore, ndërsa masa tumorale është dërguar për ekzaminim histopatologjik në Institutin e Patologjisë në QKUK.

Ky sukses është meritë e punës ekipore të kirurgëve, anesteziologëve dhe stafit mbështetës, të përbërë nga Dr. Fatbardh Rexha dhe Dr. Linda Uka-Musa, specialistë të kirurgjisë abdominale, si dhe Dr. Veton Pllana, specialist i anesteziologjisë.

Pjesë e çmuar e ekipit ishin edhe instrumentaret Ferdane Bulliqi dhe Nerxhihane Çuni, teknikët e anestezionit Naser Spahiu dhe Besarta Mehmeti, si dhe infermierët Alma Musa, Besmire Mustafa dhe Rafet Bahtiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e…