“Pavarësia nuk është datë, por amanet”,  ligjëratë e Hisen Berishës në Gjimnazin e Specializuar Matematikor

16 shkurt 2026 | 19:02

Me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ish-deputeti dhe gjenerali në pension, Hisen Berisha, pati nderin të mbajë një ligjëratë para nxënësve të Gjimnazit të Specializuar Matematikor, duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike dhe edukimit qytetar.

Në këtë takim, Berisha i nisi bashkëbisedimin me një pyetje të thjeshtë, por thelbësore: Çfarë do të thotë liri? Ai shpjegoi se liria është e drejta e njeriut për të vepruar, menduar dhe jetuar pa shtypje, pa cenuar të drejtat e të tjerëve.

Ish-deputeti theksoi se pavarësia nuk është vetëm një datë kalendarike, por sakrificë, përgjegjësi dhe amanet brezash. Ajo është e drejta për të vendosur vetë për fatin tonë si popull dhe si shtet.

Berisha përkujtoi rrugën e gjatë dhe të dhimbshme drejt pavarësisë, duke rikujtuar represionin, mohim të të drejtave, gjenocidin dhe përndjekjet që përjetoi populli shqiptar në Kosovë.

Ai përmendi rolin e rezistencës paqësore, sistemin paralel arsimor dhe shëndetësor, organizimet sociale dhe solidaritetin qytetar që çuan në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kulmuan me Luftën për Liri dhe shpalljen e pavarësisë më 17 Shkurt 2008.

Postimi i plotë i tij:

Ligjëratë për 17 Shkurtin në Gjimnazin e Specializuar Matematikor

(Pavarësia nuk është Datë, por Amanet)

Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, pata nderin të jem i ftuar nga Drejtoresha e Gjimnazit të Specializuar Matematikor për të mbajtur një ligjëratë para nxënësve, në shërbim të kujtesës historike dhe edukimit qytetar për Ditën e Pavarësisë, 17 Shkurtin.

Në këtë takim me të rinjtë, reflektimin e nisëm me një pyetje të thjeshtë, por thelbësore se, çfarë do të thotë fjala Liri?

Sepse liria është vlerë universale, gjendja dhe e drejta e njeriut për të vepruar, menduar dhe jetuar pa shtypje, për aq kohë sa nuk cenon lirinë dhe të drejtat e tjetrit.

Theksuam se, pavarësia nuk është vetëm një datë kalendarike, por sakrificë, përgjegjësi dhe amanet brezash.

Ajo është e drejta për të vendosur vetë për fatin tonë si popull dhe si shtet.

Rruga drejt Pavarësisë, drejt 17 Shkurtit, ka qenë e gjatë dhe e dhimbshme.

Populli shqiptar në Kosovë përjetoi represion, mohimin e të drejtave dhe lirive elementare, gjenocid dhe përndjekje sistematike. Por çdo periudhë historike i ka heronjtë e vet.

Në rrethana të jashtëzakonshme u ndërtua rezistenca paqësore aktivr, përmes sistemi paralel në arsim dhe shtëpitë-shkolla, organizimi shëndetësor me “Shoqatën Nënë Tereza”, solidariteti social “familja ndihmon familjen”, organizimi i sigurisë dhe mbrojtjes që çoi në krijimin e UÇK-së me mision çlirimtar.

Kjo rrugë kulmoi me Luftën për Liri, sakrificën e dëshmorëve, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe mbështetjen e aleatëve tanë.

Dhe më në fund, momenti historik ishte:
17 Shkurt 2008, dita e shpalljes së pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, nga udhëheqësit e kohës, si Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Jakum Krasniqi dhe deputetët firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë.

Mesazhi për të Rinjtë me të cilët bashkëbiseduam ishte se, Liria fitohet, shteti ndërtohet.

Brezi i ri nuk e ka përjetuar luftën, por është brezi që duhet ta ndërtojë dhe forcojë shtetin.

Sepse, pavarësia nuk ruhet vetëm me armë, por me dije, profesionalizëm dhe moral.

Kosova ka nevojë për mjekë të përkushtuar, inxhinierë të aftë, juristë të drejtë, ushtarakë profesionistë dhe politikanë me integritet.

Në këtë frymë, mesazhi ishte i qartë, brezi im luftoi për liri, brezi juaj duhet të luftojë për zhvillim.

Siguria kombëtare është themel i shtetit dhe Forca e Sigurisë së Kosovës ka rol kyç në ruajtjen e sovranitetit, në partneritet të ngushtë me aleatët tanë strategjik si SHBS dhe NATO-n.

Sepse, siguria është themel i shtetit, por demokracia është zemra e tij.

Po ashtu, u theksua se vota, ligji, lufta kundër korrupsionit dhe aktivizimi i rinisë në jetën shoqërore, janë detyra të çdo brezi.

Mesazhi thelbësor për nxënësit ishte se, Pavarësia është e garantuar me gjakun e dëshmorëve, por e ardhmja garantohet me karakterin tuaj.

Në përmbyllje, nderuam dëshmorët dhe sakrificën e familjeve të tyre, por edhe mësuesit, arsimtarët dhe profesorët që mbajtën gjallë dritën e dijes në ditët më të vështira.

Kosova është amanet dhe përgjegjësi e përbashkët.

Dhe fjalët ceremoniale përfundimtare ishin amaneti i 17 Shkurtit:

Kosova nuk është vetëm tokë.
Kosova është përgjegjësi.
Kosova është amanet.
Dhe amaneti mbahet me nder.

Gëzuar 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova nesër do të festojë 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë,…