Dushi: Kosova feston përvjetorin e pavarësisë mes mungesës së unitetit dhe klimës së mosbesimit politik
Kosova në prag të përvjetorit të pavarësisë
Shkruan: Florian Dushi
Në vend të atmosferës së festës dhe reflektimit shtetëror, Republika e Kosovës po hyn në këtë përvjetor nën hijen e dilemave të rënda politike, institucionale dhe shoqërore.
Qeveri e mbështetur nga një shumicë formale, por pa bilanc rezultatesh
Një shumicë e konsoliduar numerikisht por jo edhe politikisht, e ndërtuar nga një parti që në pesë vitet e kaluara të qeverisjes nuk ka prodhuar rezultatet e premtuara.
Mes pritjeve të larta dhe realitetit të zymtë, hendeku mbetet i dukshëm – si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e mirëqenies qytetare në përgjithësi.
Qeveri – produkt i një narrative që dikur mohonte shtetin
Paradoksi politik bëhet edhe më i theksuar kur pushteti ushtrohet nga një subjekt që ngritjen e vet e ndërtoi mbi retorikën e mohimit të shtetit, simboleve të tij.
Transformimi i tillë nuk është problem në vetvete nëse shoqërohet me reflektim e përgjegjësi; por kur ai shihet si oportunizëm politik, ushqen cinizëm dhe ndarje të reja në shoqëri.
Izolim, destabilitet dhe krizë besimi
Kosova po përballet me:
• Izolim ndërkombëtar në rritje,
• Destabilitet politik e institucional,
• Krizë ekonomike që rëndon mbi përditshmërinë e qytetarëve,
• Antagonizma të thella shoqërore, të ushqyera nga një propagandë e kushtueshme dhe polarizuese e udhëhequr nga partia në pushtet.
Në vend të unitetit rreth interesit shtetëror, vendi mbetet i mbërthyer në tensione të vazhdueshme dhe në një klimë mosbesimi mes subjekteve politike.
Procesi në Gjykatën e Hagës dhe hija mbi luftën çlirimtare
Gjykata e Specializuar në Hagë, një mekanizëm që u themelua nën peshën e një akuze publike të çmendur – dyshimet për trafikim organesh – sot perceptohet nga shumëkush si një mekanizëm i devijuar nga qëllimi i saj fillestar.
Rreziku nga mënyra se si procesi është duke u zhvilluar pranë kësaj gjykate nuk është vetëm juridik, por historik dhe moral: që narrativa mbi luftën për liri të relativizohet, duke goditur vetë themelet e shtetësisë së Kosovës.
Përvjetorët e pavarësisë nuk janë vetëm ditë feste. Janë momente bilanci e reflektimi nga secili prej nesh varësisht nga përgjegjësitë publike që kemi.
Bilanci i sivjetmë kërkon më shumë se retorikë: kërkon reflektim, përgjegjësi dhe rikthim tek parimet themelore të demokracisë, legjitimitetit dhe interesit qytetar e shtetëror.
Kosova 2026



