Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, pati kritika me tone tejet të ashpra ndaj Gjykatës Speciale gjatë një lidhjeje direkte nga Haga për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Duke komentuar fjalën përfundimtare të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, Hoxhaj e cilësoi procesin si rezultat të një lufte hibride dhe të raportit të Dick Martyt, të cilin e quajti një kurth për vetë Perëndimin.
Hoxhaj shtoi se ky raport erdhi si kundërpërgjigje e menjëhershme pas legjitimimit të Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
“Del se ka qenë një betejë që ka rënë në kurth edhe Perëndimi, një betejë e një lufte hibride në raport për ta goditur Kosovën, pasiqë ne kemi fituar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila gjithashtu është në Hagë. Nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i ka dhënë të drejtë dhe e ka bërë të ligjshme ndërkombëtarisht shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, goditja ka qenë raporti i Dick Martyt dhe ne nuk kemi dëgjuar asgjë në këto pesë vitet e fundit”, deklaroi Hoxhaj.