Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave refuzon kërkesën e ZKA-së për buxhet shtesë

19 shkurt 2026 | 11:14

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka kërkuar mbi 654 mijë euro buxhet shtesë nga shuma e përgjithshme e paraparë në Projektligjin për buxhetin e vitit 2026.

Kjo pasi nga kjo zyre kanë thënë se duhet të rekrutojnë staf shtesë e po ashtu u duhet buxhet edhe për mallra, shërbime dhe kategori tjera. “Këto 10 pozita të reja kemi kërkuar t’i mbulojmë për auditimin e fondeve të BE-së”, ka sqaruar drejtori i përgjithshëm i ZKA-së, Safet Berisha.

Pavarësisht kësaj, kërkesa e ZKA-së nuk është përkrahur në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave, përkatësisht nga deputetët e shumicës parlamentare. Kundër kësaj kërkese janë deklaruar pesë deputetë, tre për dhe një ka abstenuar.

Anëtarët e komisionit nga radhët e LV-së kanë kërkuar që në këtë fazë të mos bëhen ndryshime në buxhet. Sipas tyre, kërkesat e institucioneve publike mund të përfshihen në buxhet kur të bëhet rishikimi i tij muajin e ardhshëm.

Mirëpo këtë qëndrim të pushtetit e kanë kundërshtuar deputetët e opozitës.

“Kërkoj me kujdes të shqyrtojmë kërkesat e tyre. Këto janë në përputhje me Ligjin e Pagave e rregullore tjera. Nëse këtyre ju ndalim këtë mundësi, në fund të vitit ne kemi me qenë përgjegjës për mosrealizimin e planit të ZKA-së. Unë besoj që sot ose duhet ta miratojmë kërkesën e tyre ose mazhoranca të marrë zotim, që këto të shkojnë përpara”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ardian Shabani shpall te pavlefshme dëftesat e vitit I,II,III te…