Gucati: Nuk do të rrimë duarkryq për padrejtësitë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

21 shkurt 2026 | 17:54

Bashkëluftëtarët e ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq për padrejtësitë që po ju bëhen atyre nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke bërë të ditur se do të ulen së shpejti për të shqyrtuar hapat e mëtejmë përmes të cilëve do të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Nga OVL-UÇK pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, janë shprehur të bindur se të akuzuarit do të shpallen të pafajshëm dhe duke paralajmëruar veprime të mundshme në ditët në vijim.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, akuzoi Prokurorinë se gjatë gjithë procesit ka përdorur, siç tha ai, “gënjeshtra, shpifje dhe montime” me qëllim që ta paraqesë UÇK-në si organizatë kriminale.

“Po ne si shoqata të dala nga lufta e presim me padurim fundin, mbarimin. Prokuroria prej fillimit deri në fund, deri më ditën e mërkurë, ka gënjy, ka shpifë, ka montu, ka marrë njerëz të traumatizuar, ka marrë njerëz ashtu që kanë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë, çdo lloj metode ka përdorur për me gjymtu apo për me e qitë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë të përbashkët kriminale. Ne e dimë që prokurorët këtë punë e kanë, se prokurorët s’kanë tjetër punë, sa më shumë materiale, sa më shumë dokumente për me u munduar me fituar rastin ata”, tha ai.

Gucati deklaroi se beson fuqishëm se rasti nuk mund të fitohet me rrena dhe fabrikime, duke shtuar se në këtë proces, sipas tij, nuk po gjykohen vetëm individë, por e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vetë shteti.

“Unë besoj fuqishëm, së pari në Zot edhe në drejtësi, që ata s’do ta fitojnë rastin hiç. Se rasti nuk fitohet me rrena, nuk fitohet me fabrikime, nuk fitohet me njerëz poshtër të cilët e kanë trupin në Kosovë e kokën në Serbi. E kështu që duhet me shpresu fuqishëm që ata do të dalin faqebardhë, së pari shteti jonë faqebardhë, do të del Ushtria Çlirimtare e të dalin vetë ata. Se aty nuk po dënohet Presidenti Hashim Thaçi, as Jakup Krasniqi, as Rexhep Selimi, po as Kadri Veseli, po po dënohet e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës edhe vetë shteti. Se gjëja që tani ne paskemi bërë shtetin me, thonjëza, me kriminelë, që është turpi më i madh në botë”, tha ai.

Ai shprehu shqetësimin që gjykata të mos jetë politike, duke theksuar se nëse do të ishte e tillë, do të ishte shumë e dëmshme për shqiptarët e Kosovës, të cilët, sipas tij, kanë përvojë të keqe nga gjykatat e Jugosllavisë dhe Serbisë.

Duke komentuar fjalët përfundimtare të të akuzuarve, ai i cilësoi ato si mbrojtje të fuqishme të Kosovës dhe të luftës së UÇK-së, duke thënë se ata paraqitën argumente të forta në mbrojtje të tyre.

“E kjo, unë s’besoj se do ta lejojë askush, se Gjykata duhet të jetë gjykatë jopolitike, ishalla s’është politike, se nëse është politike për ne ka me qenë shumë e dëmshme. Se shqiptarët e Kosovës kanë përvojën e keqe nga gjykatat e Jugosllavisë edhe të Serbisë të asaj kohe ku janë dënuar me qindra shqiptarë, me mijëra vjet nëpër burgje, prej bacit Adem Demaçi e më herët edhe më vonë që janë dënuar nëpër burgje serbe edhe jugosllave. Politikisht janë dënuar edhe dashtë Zoti që kjo të mos jetë gjykatë politike.

Fjalimi i këtyre të katërtve, çka me thënë bre. Kush më mirë se ata e mbron Kosovën, ushtrinë, njerëzit e vet, kombin e vet? Kush di më mirë se ata? Të gjitha fjalimet, s’di cilën me thënë ka qenë secila ka qenë më e mirë se shoqja, secili ka diskutuar më fort se shoqi, secili i ka treguar ato realitete edhe ato argumente të veta të forta që i dhanë për Kosovën”, tha ai.

Gucati kundërshtoi pretendimet që luftëtarët e UÇK-së të quhen kriminelë, duke theksuar se ata kanë luftuar për vendin e tyre dhe se, sipas tij, gjykata po tenton ta rishkruajë historinë shqiptare, gjë që ai beson se nuk do të ndodhë.

“Bashkëpunëtorë të Adem Jasharit tash me u quajt kriminelë? A ndodh kjo kund në botë bre? Njeri që i ka dhënë 22 anëtarë, 56 krejt lagjen Jashari, ka qenë bashkëpunëtor i Adem Jasharit. Po të ishte gjallë ndoshta Adem Jasharin tash edhe këta me e çu atje në burg e me e akuzu pse ka luftuar për vend të vet, apo dëshmorë të tjerë, Luan Haradinaj apo Zahir Pajaziti, ai tjetri, edhe ata kanë me qenë kriminelë që kanë luftuar për vendin e vet? Do të thotë kjo gjykatë është duke u munduar në të gjitha format, edhe ajo që më ka befasuar më shumë këtë herë, s’kanë qenë këta ushtri e shtetit. Atë për herë të parë e kam dëgjuar në këtë gjykatë, kjo s’ka qenë ushtri e shtetit e kjo më ka befasuar prej prokurorëve që është qesharake mund të them, mund të them turpi më i madh i shekullit 21, kur thotë s’kanë qenë ushtri e shtetit”.

“Po ne e dimë që ne autonominë na e ka marrë Serbia, ne e dimë që kemi qenë të barabartë në Jugosllavi me të gjitha republikat e tjera, me gjashtë republika ka qenë edhe Kosova, ka qenë e barabartë, veç emrin republikë s’e ka pasur. Ne e dimë që është shpallur një kushtetutë në Kaçanik, ne e dimë që kemi luftuar brezi pas brezi, kanë luftuar të parët tanë me ardhë deri sot ku jemi. Kjo gjykatë tenton që historinë shqiptare ta rishkruajë. Unë s’ka mundësi ta rishkruajë kjo. S’besoj se ka me pasë mundësi kjo gjykatë me bërë edhe një herë shkrimin apo mbishkrimin apo ta rishkruajë historinë e shqiptarëve. Shqiptarët e kanë shkruar me gjak, me mijëra dëshmorë, mijëra invalidë, me mijëra, qindra civilë të vrarë në këtë vendin tonë”, tha ai.

Ai shtoi se shoqatat e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se shumë shpejt do të ulen për të diskutuar hapat e mëtejmë, pas protestës së mbajtur më 17 shkurt në Prishtinë në mbështetje të të akuzuarve.

“Unë nuk do të thosha se s’do të marrim hapa, ne do të marrim hapa po hala s’kemi menduar as datë, as ditë, as formën e saj. Po me sa e di, ne s’do të rrimë duarkryq. Këtë e di. Shoqatat e dala nga lufta, tri shoqatat e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq me veteranë, bashkërisht me shokë tanë me krejt edhe me shoqërinë civile do të bisedojmë, do të ulemi shumë shpejt për hapat. Tash mbas 17 shkurtit që u mbajt një protestë e madhe, mbi 100 mijë vetë në Prishtinë që i përgëzoj të gjithë ata qytetarë në atë kohë të ftohtë, unë isha në Hagë, s’isha këtu, po i përgëzoj ata qytetarë që kanë marrë pjesë edhe shokët e mi i përgëzoj. Ne do të ulemi, tri shoqatat e dala nga lufta do të bisedojmë për hapat e mëtutjeshëm. Po ne do të këqyrim gjithmonë çka tash e mbas”, tha ai.

Gucati u shpreh se pret që gjyqtarët të vendosin drejt, duke theksuar se të akuzuarit kanë luftuar në territorin e tyre dhe jo në Serbi, dhe se, sipas tij, UÇK-ja ka zhvilluar luftë për mbrojtjen e popullit të saj.

“E unë kështu besoj si Gjykata ka me i thirrë mendjes, gjyqtarët kanë me i thirrë mendjes edhe kanë me gjetur në anën tonë, pa u thënë atyre, po vetëm drejtësia. Gjithmonë me argumente, me fakte, me sende qysh i dita ata me argumentuar. Katërshja e madhe që diti t’i argumentojë fjalët përfundimtare, çdo send. Si Presidenti, si Kadriu, si Jakupi, si Rexha, thjesht fenomenalë kanë qenë çdo send qysh dita ata. Është mirë gjyqtarët me punën e tyre me i marrë parasysh edhe pjesën negative, po edhe pjesën pozitive. Edhe me qitë atë peshoren, e mira e të keqja. Edhe gjithmonë me u kthyer kah e mira.

Këta njerëz s’kanë shkuar në Serbi me luftuar, ne s’kemi luftuar në Serbi, ne kemi luftuar në tokën tonë, territorin tonë. Ne e kemi mbrojtur kombin tonë. Ne, a del një serb që u vra një plak, një plakë, një fëmijë i tyre që e kanë bërë masakër shqiptarët? Përkundrazi, Serbia ka bërë masakër në popullin e vet. Djem të rinj në kafenenë “Panda” në Pejë i ka prerë. Na s’i kemi prerë ata. Këtë Serbia e ka bërë. E ne s’i kemi prerë ata asnjëherë. Na s’jemi ne gjenetikisht shqiptarë me bërë masakër. Na kemi luftuar ballë për ballë me ushtri, me polici, me paramilitarë serbë, për me i larguar njëherë e përgjithmonë shkijet prej Kosove”, tha ai.

Çështja gjyqësore kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në qytetin holandez, Hagë, ka përfunduar më 18 shkurt.

Të mërkurën e 18 shkurtit, mbrojtjet e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, dhanë argumentet e tyre të fundit mbrojtëse.

Ato përsëritën argumentet e tyre se Prokuroria nuk ka dëshmi për akuzat e ngritura, nuk ka arritur ta provojë fajësinë e tyre, prandaj kërkuan aktgjykim shfajësues.

Më pas, mbrojtja e viktimave tha para trupit gjykues se ajo nuk e ka obligim t’i vërtetojë akuzat ndaj të akuzuarve.

Në fund të ditës, ishte radha e të të akuzuarve për t’u deklaruar përfundimisht rreth akuzave me të cilat ngarkohen.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, secili, ngulën këmbë në fjalët e tyre përmbyllëse se ndihen tërësisht të pafajshëm dhe mbrojtën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të drejtë dhe për çlirimin e një populli që po përballej me një luftë agresore.

Ata thanë se nuk kanë kryer krime dhe se Prokuroria nuk ka mundur t’i arsyetojë akuzat, siç thanë, të pabazuara, kundër tyre.

Pas përfundimit të deklaratave të tyre, kryegjykatësi Charles Smith III e shpalli të mbyllur çështjen gjyqësore.

Seanca e fundit u mbajt vetëm një ditë pasi mijëra qytetarë, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes të UÇK-së dhe për të kërkuar gjykim të drejtë./EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot pas dreke në…