DOSSIER: S’KA FORCË QË MUND T’I THYEJË DHE MPOSHTË HERONJTË E NËNTOKËS SHQIPTARE!

21 shkurt 2026 | 20:58


Ismet Sylejmani

Populli ynë heroik dhe i pamposhtur, gjithmonë tokën e vet, trojet e veta i mbrojti me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë që e derdhën për liri.

Luftën e tij për liri dhe vetëvendosje populli ynë nuk e ka pushuar për asnjë çast të vetëm, por e ka ngritur në shkallë edhe më të lartë kualitative dhe e ka zhvilluar e përsosur me mjete, forma e metoda të reja, të ndryshme dhe të perfeksionuara, të sprovuara dhe të kalitura në zjarrin dhe flakën e luftës kundër pushtuesve të egër serb, që për gjeneratat e tashme dhe atyre që do të vijnë janë një përvojë e thesar me vlera të larta e të paçmueshme, kurse për historinë kombëtare të qëndresës dhe rezistencës heroike janë një kapital i madh dhe faqe të reja nderi e lavdie!

Njëra nga ato hallkat më të forta, më të rëndësishme dhe nga më kryesoret në zingjirin e luftës sonë të madhe, të gjatë dhe të mundimshme që ka zhvilluar dhe po zhvillon populli ynë, është padyshim edhe pjesa më revolucionare e klasës punëtore, minatorët trima e sy patrembur të minierës “Trepça” të Stari-Tërgut e të minierave tjera në Kosovë!

Greva gjenerale e përgjithshme e shkurtit dhe ajo e tetorit të vitit 1989 e minatorëve heroik të “Trepçës” në Stari-Tërg që tronditi nga themelet pushtetmbajtësit shovinist të Beogradit dhe përkrahësve të tyre këtu në Kosovë, ishte, është dhe me siguri që do të jetë edhe në të ardhmen një nga ngjarjet më të shënuara e më të lavdishme jo vetëm të historisë së popullit tonë por edhe të asaj botërore!

Hudhja në grevë të urisë dhe barrikadimi për 8-të ditë rresht i minatorëve në horizontet më të thella të minierës në kushte tejet të vështira për jetën e njeriut si dhe përkrahja e qind për qind nga ana e popullit, ishte sinjali i fillimit të shkallëzimit të një faze të re të luftës së popullit tonë drejt çlirimit të plotë nga zgjedha e okupatorit serb!

Ishte njëra nga goditjet më të fuqishme që i ishte dhënë ndonjëherë armikut në këto troje; ishte njëra nga ngjarjet që më së shumti bëri për internacionalizimin e çështjes shqiptare para opinionit përparimtar botëror; ishte njëra nga ngjarjet që efekti i saj u shtri në të gjitha vendet dhe skajet më të largëta të botës; ishte njëra nga ngjarjet që i ngriti peshë zemrat e gjithë shqiptarëve kudo që ishin dhe i mobilizoi në luftë edhe më shumë; ishte njëra nga ngjarjet që e ngriti në shkallë më të lartë gjithë lëvizjen e popullit tonë, luftën e tij për liri; ishte njëra nga ngjarjet që i parapriu në mënyrë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të hidhura të marsit por të lavdishme në historinë e popullit tonë etj., etj..!

Akti i madh dhe heroik i minatorëve tanë trima mobilizoi në luftë kundër shovinistëve të gjitha shtresat e popullit tonë!

Përfundimisht shembi të gjitha ato iluzione të sëmura se “populli shqiptar duhet të jetojë dhe fatin e perspektivën e tij më të ndritur do t’i ketë në bashkëjetesë me Serbinë”!

Me grevën e tyre të paparë e të padëgjuar ndonjëherë jo vetëm në historinë e popullit tonë por edhe të mbarë njerëzimit, rast unik edhe për librin e Ginisit, u solidarizuan i madh e i vogël, me një fjalë të gjitha shtresat e popullsisë, të gjithë pjestarët e popullit tonë pa dallim feje, krahine e tendence politike!

Në shenjë përkrahjeje dhe solidarizimi me minatorët e papërkulur u hodhën në grevë urie bijtë e Kosovës që ishin të ndjekur nga regjimi policor për shkak të aktivitetit të tyre në atdhe dhe punëtorët që punojnë jashtë atdheut, pati edhe nga të huajt që u solidarizuan me grevën e minatorëve duke u hedhur në grevë urie etj., etj..!

QËNDRESA HEROIKE E MINATORËVE – NGRITI LART FRYMËN REVOLUCIONARE TË POPULLIT

Për 8-të ditë pandërprerë populli shqiptar jetoi me ankth se ç’do të ndodhte me bijtë e tij në thellësitë e nëntokës nënë!

Heshtje varri e kaploi gjithë trollin shqiptar!

Nuk pati asnjë kombinat, fabrikë a organizatë punuese, shkollë, fakultet a institucion kulture dhe arti që nuk e ndërpreu punën në shenjë solidarizimi me heronjtë e nëntokës që luftonin kundër vdekjes dhe armiqve me heroizëm të pashembullt në historinë e njerëzimit; nuk pati zejtarë privat që nuk ia vuri dryrin dyqanit ku punonte në shenjë solidarizimi me heronjtë e nëntokës shqiptare; nuk pati shtëpi e familje që nuk i la mënjanë të gjitha punët në shenjë solidariteti me heronjtë e nëntokës; nuk pati pjestarë (me përjashtim të atyre tradhëtarëve që kërkohej dorëheqja e tyre dhe veglave qorre) të popullit tonë që nuk i la mënjanë të gjitha obligimet e jetës së përditshme në shenjë solidariteti me heronjtë e nëntokës; nuk pati pjestarë të popullit tonë që nuk u shkreh në vaj si fëmijë kur shikonte gjendjen kritike shëndetësore të heronjëve që me vetëdije të plotë shkonin drejt vdekjes së sigurt!

Një popull i tërë në grevë totale këtë historia e njerëzimit nuk e kishte parë asnjëherë gjatë historisë ose raste shumë të rralla!

Katërcipërisht u vërtetua fjala e patriotit të madh e plakut të urtë Ismail Qemali se “…nga dyert e popujve të vegjël, dalin tragjedi të mëdha”!

Populli ynë numerikisht i vogël krahasuar me popujt tjerë, por me zemër të madhe e me histori të shkëlqyer nga luftërat e shumta që kishte zhvilluar në të kaluarën dhe sot i prirë nga akti i flijimit sublim të minatorëve po shënonte faqe të re të historisë kombëtare që është nga më të lavdishmet jo vetëm për vetën e tij por edhe për mbarë njerëzimin!

Sot kur po afrohet përvjetori i grevës së shkurtit, grevës që siç e thamë më lart paralizoi gjithë jetën, minatorët trima do t’i gjejë të gjithë pa përjashtim të larguar nga vendi i tyre i dashur i punës!

Kjo nuk do të ishte edhe aq shumë tragjike sikur jeta e minatorëve dhe e familjeve të tyre të ishte jo e rrezikuar nga skamja dhe varfëria e madhe!

Në vend se të shkruajmë edhe më për efektet e gjithanshme dhe me përmasa botërore që bëri greva e përgjithshme, jam i detyruar të shkruaj dhe të ndalem në mënyrë të veçantë për një dukuri tjetër që po nuk u angazhuam ta eliminojmë që në nismë, ndoshta do të bëhemi objekt për këtë radhë jo për heroizëm e trimëri, por për skamje dhe varfëri të atyre që me gjokset e tyre ku vlonte urrejtja për armiqt e tradhëtarët dhe dashuria për popullin dhe atdheun, lanë nam për veten dhe popullin që i takonin e për klasën që përfaqësonin!

Gjendja materiale e minatorëve nuk është aspak e mirë, ashtu siç nuk është e mirë edhe e të gjitha shtresave të tjera të popullit!

Mirëpo gjendja e minatorëve dallon nga e të gjithëve!

Është obligim i të gjitha shtresave të popullit që ashtu siç solidarizoheshin me minatorët gjatë kohës kur ata ishin të vetëmbllur në galeritë e nëntokës, poashtu të solidarizohemi, t’i ndihmojmë e përkrahim me çdo gjë e për gjithçka!

Ata luftën nuk e ndalën për asnjë moment, por ishin dhe janë në ballë të saj!

Ishin minatorët të parët ata që nuk deshën të punonin nën administrimin e masave të dhunshme që i aplikonte Serbia, prandaj ata edhe meritojnë kujdesin më të madh dhe të parin!

Duke ndihmuar dhe përkrahur minatorët dhe familjet e tyre ne ndihmojmë dhe përkrahim luftën!

Të mos lejojmë që minatori ta shtrijë dorën e lypësit!

Duhet ta ndihmojmë që ai ta mbajë kokën lart ashtu siç u ka hije heronjëve!

Me ndihmën tonë ne i bëjmë ata të pamposhtur dhe të pathyeshëm, dhe këtë ua kemi borgj!

Nëse një minatori të vetëm do t’i qajë fëmija për bukë, nga të ftohtit për mungesë veshmbathjeje, për libra shkollore etj., etj., përgjegjësia mbi ne do të jetë e madhe dhe e pafalshme!

Përvjetori i grevës së përgjithshme le të shërbejë si alarm që t’i mobilizojmë forcat tona dhe t’i ndihmojmë pa rezervë trimat e historisë!

Më 12.02.1992
Gjilan

P.S: Shkrim i botuar ne gazetën “BUJKU”!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para pak vitesh ishte botuar libri “New State, Modern Statesman:…