Zgjedhja e Presidentit, konsultimet ende nuk kanë nisur, afati deri më 4 mars!
Në dhjetë ditët e fundit, Kosova përmbylli procese tejet të rëndësishme, nga konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë së re e deri te miratimi i marrëveshje ndërkombëtare si dhe buxhetin për këtë vit.
Ndërkohë që përpara ka dhe një sfidë, ta zgjedhë kreun e shtetit.
Është folur për nisjen e konsultimeve, bashkëpunimin ndërmjet të gjitha partive dhe një marrëveshje në drejtim të një emri për shefin e ri të shtetit, megjithëkëtë, nga këndvështrimi i njohësve të fushës, kjo klasë politike, pozitë dhe opozitë, po vonohet drejt nisjes së debatit për çështjen e presidentit.
“Kjo klasë politike po e lë për momentet të fundit këtë çështje, prandaj do të duhej ashtu siç është premtuar nga kryeministri, që të fillojë diskutimi me partitë tjera, pra të opozitës. Kjo heshtje është e dëmshme, opinioni do më shumë transparencë, më shumë debat për çështjen e presidentit, dhe nuk do të duhej të shtyhej më shumë. Është urgjente, do të duhej të shfrytëzohej çdo minutë, çdo orë”, ka thënë për RTK-në, prof. Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese.
Ndonëse konsultimet nuk kanë nisur ende, të paktën jozyrtarisht, mbetet të shihet nëse kjo seancë për zgjedhjen e presidentit do të mbahet deri më 4 mars.
“Thirrja e seancës për presidentin mund të ndodhë në fund të muajit shkurt apo në fillim të marsit, deri më 4 mars dhe pastaj a përfundon a jo, deri më 1,2,3 apo 4 Mars, pritet të shihet. Mund të filloj procedura, por mund edhe mos të filloj fare, varësisht nga dinamika e zhvillimeve politike”, ka thënë për RTK-në, Vullnet Bugaqku nga Insituti Demokratik i Kosovës.
Që një emër të kandidohet për president, duhet të sigurohen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve dhe po ashtu dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës me gjithsej 120 ulëse. 80 deputetë prezentë në sallë e bëjnë kuorumin e nevojshëm, ndërsa, nëse në dy rrethet e para të votimit një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjaftojnë votat e 61 deputetëve.



