Qeveria dhe UNDP-ja rikonfirmojnë vazhdimin e bashkëpunimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queiros.
Në këtë takim të parë prej formimit të qeverisë së re, Queiros e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e tij dhe të kabinetit qeveritar.
Kryeministri e falënderoi Queirosin për urimet dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe profesional ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner i besueshëm dhe strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.
Në takim u rikonfirmua gatishmëria për vazhdim të bashkëpunimit në fusha prioritare si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.
Kryeministri theksoi se reforma në prokurimin publik mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.
Në këtë drejtim, do vazhdojmë me miratimin e strategjisë anti korrupsion dhe ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Të dy palët u pajtuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.



