Konflikti gjeostrategjik SHBA – Iran dhe supremacia amerikane 2026
Shkruan: Hisen Berisha
Në rendin aktual ndërkombëtar, fuqia nuk matet vetëm me kapacitet ushtarak, por me aftësinë për të kontrolluar përshkallëzimin, për të menaxhuar krizën dhe për të imponuar rezultatin strategjik. Në këtë prizëm, përplasja SHBA-Iran është test i arkitekturës globale të sigurisë dhe i dominimit amerikan në sistemin ndërkombëtar.
Në kulmin e tensioneve të fundit, SHBA po demonstron fuqinë e saj të pakundërshtueshme ushtarake dhe strategjike ndaj Iranit dhe suportuesve proximus, aleatë të tij të afërt, nga konsekuencat e kësaj përplasjeje. Administrata e Presidentit Donald Trump, duke zbatuar doktrinën e “paqes përmes forcës”, synon të imponojë një paqe të qëndrueshme në rajon përmes presionit të fuqishëm ekonomik dhe ushtarak, duke neutralizuar kapacitetet bërthamore të Teheranit dhe duke penguar çdo kërcënim ndaj partnerëve strategjikë si Izraeli.
Gatishmëria kërcënuese e Iranit për një përballje ushtarake vetëm sa tregon dobësitë e brendshme të regjimit dhe kufijtë e aftësive të tij operative. SHBA dhe aleatët e saj, duke shfaqur supremacinë ushtarake, kanë vendosur kapacitete të avancuara reagimi të shpejtë, sisteme mbrojtëse dhe grupe luftuese në rajon, në brezin e ngushtë të luftimeve dhe atë të gjerë të sigurisë së fushëbetejës. Çdo skenar i mundshëm sulmi iranian është parashikuar, dhe neutralizimi i tij mund të realizohet me efekt minimal për SHBA.
Në dimensionin operacional dhe taktik, kjo përkthehet në integrim të plotë C4ISR (Command, Control, Communications, Computers, Intelligence, Surveillance and Reconnaissance), superioritet ajror absolut, kontroll detar në Gjirin Persik dhe dominim të spektrit elektromagnetik. Koncepti i deterrence-it amerikan dhe “escalation dominance” garanton që çdo përshkallëzim të mbetet nën kontrollin strategjik të Washingtonit.
Për njohësit e gjeostrategjisë politike, ushtarake dhe ekonomike, tashmë po lexohen efektet e drejtpërdrejta të fuqisë amerikane ndaj Iranit në kuadër të ekuilibrave të mëdha globale, ku vepron gjeostrategjia e aktorëve kryesorë si SHBA, Rusia, Kina dhe “Rruga e Re e Mëndafshit”.
Konflikti SHBA-Iran nuk është vetëm përplasje bilaterale, ai përfaqëson ndërprerjen e një hallke kyçe të boshtit ruso-kinez në Lindjen e Mesme. Neutralizimi i Iranit si nyje energjetike dhe gjeopolitike dobëson projektimin e fuqisë së Moskës dhe Pekinit dhe pengon konsolidimin e korridoreve strategjike të BRI-së (Belt and Road Initiative).
SHBA përqendron strategjinë e saj në ruajtjen e kontrollit mbi nyjet kyçe energjetike dhe rrugët tregtare në Lindjen e Mesme, duke kufizuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës. Ndërkohë, tensionet me Iranin veprojnë si një mekanizëm për të frenuar planet ekonomike dhe politike të aleancës Rusi-Kinë, duke penguar zhvillimin e projekteve strategjike të BRI (Brezit dhe Rrugës) dhe lidhjet kyçe energjetike në rajon.
Nga perspektiva amerikane, stabiliteti rajonal nënkupton edhe kontroll mbi Kanalin/Rrugën e Hormuzit si arterien kryesore për eksporte globale nafte. Bllokimi i saj nga Irani, madje edhe si kërcënim, do të destabilizonte ekonominë globale dhe furnizimet me naftë. SHBA dhe aleatët e saj e konsiderojnë këtë një linjë të kuqe strategjike, dhe çdo ndërhyrje e shpejtë dhe e vendosur mund të rrëzojë regjimin iranian pa shkaktuar luftë totale.
Kjo qasje përputhet me konceptin e “coercive diplomacy”, përdorimi i fuqisë së besueshme ushtarake për të imponuar kalkulim racional te kundërshtari, pa hyrë domosdoshmërisht në luftë të hapur. SHBA ruan aftësinë për goditje precize, kirurgjikale, që synojnë paralizimin e kapaciteteve kritike të regjimit.
Historia ka treguar se regjimet autokratike, përfshirë Iranin, rrëzohen kur fuqia e brendshme dhe ajo e jashtme bashkohen. SHBA ka kapacitetin të ndërmarrë veprime preventive, si një grusht shteti i planifikuar, për të neutralizuar qendrat kyçe të forcës iraniane, duke imituar precedentët historikë në rajon ku liderët autokratikë u rrëzuan nga presioni i koordinuar i fuqive të jashtme.
Pa hyrë në spekulim, mund të thuhet se kombinimi i presionit të jashtëm strategjik me faktorë të brendshëm destabilizues krijon kushte për transformim të detyruar të regjimit. Një operacion i tillë do të kishte karakter strukturor, jo thjesht ushtarak, por politik dhe institucional.
Një sulm i strukturuar ose presion strategjik mund të çojë në destabilizimin e regjimit, pa përfshirë një konflikt të gjerë. Ky operacion potencial përfshin:
– Neutralizimin e kapaciteteve raketore dhe bërthamore të Iranit;
– Goditjen e bazave ushtarake dhe strukturave kryesore të regjimit;
– Mbështetjen e grupeve të moderuara brenda vendit që mund të sigurojnë stabilitet pas rrëzimit të regjimit;
Pra, po t’i referohemi eliminimit inteligjent të 21 Gjeneralëve të regjimit kohë më parë, vlerësoj se Fuqia Ushtarake Amerikane mbetet determinuese e fushëbetejës. Goditja e parë nuk përjashton edhe “Grushtin e Shtetit” strategjik kundër regjimit autokratik të Teheranit.
Në këtë kuadër, fuqia amerikane nuk është thjesht ushtarake, por një kombinim i inteligjencës, diplomacisë dhe aftësisë për të imponuar rezultatin që dëshiron.
Ekonomia dhe energjia janë po ashtu komponentet kyçe të luftës që përcaktojnë fatin e rajonit. Irani kontrollon një pjesë kritike të tregut global të energjisë. Rruga e Hormuzit, eksportet e naftës dhe strategjia energjetike e rajonit vendosin bazën e ndikimit ekonomik global. SHBA e kupton që një Iran i pakontrolluar është një kërcënim ndaj stabilitetit ekonomik botëror dhe për këtë arsye përdor kombinimin e masave sanksionuese ekonomike, presionit diplomatik dhe aftësive ushtarake për të mbrojtur interesat globale.
Në këtë kontekst, SHBA shfaqet jo thjesht si palë në konflikt, por si aktor determinues i arkitekturës së sigurisë globale, një fuqi që përcakton parametrat e rendit, kufijtë e përshkallëzimit dhe normat e stabilitetit ndërkombëtar.
Doktrina Trump, “Paqe përmes forcës”, do të thotë se fuqia amerikane përdoret për të imponuar rezultate paqësore. Doktrina e “neutralizimit të kërcënimeve strategjike” do të thotë se SHBA ruan avantazhin ndaj Iranit, duke mbrojtur aleatët dhe rrugët energjetike. Koncepti tjetër doktrinor, “Kontroll mbi rivalët globalë” si Rusia, Kina dhe Irani, në nivel operativ-taktik do të thotë të mbahen nën presion, duke kufizuar ndikimin e tyre rajonal.
SHBA ka aftësinë të shfrytëzojë çdo dobësi të regjimit iranian, duke kombinuar diplomacinë, inteligjencën, fuqinë ushtarake dhe presionin ekonomik për të vendosur një rend të favorshëm për dekadat e ardhshme. Çdo veprim strategjik amerikan është i menduar që të mos lejojë surpriza, duke garantuar që dominimi amerikan në Lindjen e Mesme mbetet i pakontestueshëm, ndërsa rajoni qëndron nën kontrollin dhe vizionin strategjik të Washingtonit.
Në fund, siç sugjeron tradita klasike e mendimit politik, rendi ndërkombëtar shpesh formësohet nga ata që kanë kapacitetin ta imponojnë atë. Në këtë ekuacion, SHBA projekton veten si fuqia që jo vetëm reagon ndaj krizave, por i përcakton ato, duke ruajtur epërsinë strategjike dhe kontrollin mbi drejtimin e historisë gjeopolitike.



