Osmani e pati kthyer mbrapsht Ligjin për Konsumatorin, Haxhiu sot e dërgoi për rishqyrtim në komision
Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, në nëntor të viti të kaluar kishte kthyer për rishqyrtim në Kuvend Ligjin Nr. 08/L-288 për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke refuzuar dekretimin e tij, për çka, këtë të martë Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërmori një veprim. E para e Kuvendit sot ua përcolli komisionit për ekonomi vendimin e Presidentes.

Ligji ishte miratuar më 31 tetor 2024 dhe synonte, “mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit të konsumatorëve”.
Por pikërisht këtu lind përplasja. Sipas Presidentes, neni 17 paragrafi 4 “pamundëson realizimin e qëllimit të synuar të Ligjit në raport me mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit”.
Dispozita në fjalë standardizon përdorimin e qeseve plastike dhe kufizon ndërhyrjen e Qeverisë për alternativa më të qëndrueshme.
Presidentja thekson se kjo “krijon një standardizim të detyrueshëm të praktikave të përdorimit të qeseve plastike” dhe kufizon masa si kalimi në qese letre ose materiale biodegraduese.
Sipas arsyetimit, shpallja e ligjit do të “krijonte konfuzion ligjor” dhe do të vendoste në konflikt politikat mjedisore me vetë ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.
Vendimi argumenton se ligji bie ndesh me nenin 7 dhe 52 (3) të Kushtetutës, që e trajtojnë mbrojtjen e mjedisit si vlerë themelore dhe obligim institucional.
Në tekst përmendet edhe Aktgjykimi KO43/19 i Gjykatës Kushtetuese, që obligon Kuvendin të respektojë “frymën e Kushtetutës” gjatë hartimit të ligjeve.
Presidentja vlerësonte se përfshirja e dispozitave të detajuara për qeset plastike në një ligj primar është strukturalisht problematike.
Ajo thekson se Ligji Nr. 08/L-071 për Mbeturina i jep Qeverisë kompetencë të nxjerrë akte nënligjore për menaxhimin e paketimit dhe reduktimin e plastikës.
Ndërhyrja përmes një ligji primar, sipas saj, e bën sistemin më të ngurtë dhe më pak të adaptueshëm ndaj politikave të reja mjedisore.
Në arsyetim përmenden edhe të dhëna ndërkombëtare. Sipas Komisionit Evropian, “më pak se 1% e qeseve plastike riciklohen në mënyrë efikase”.
Dokumenti thekson se qeset plastike mund të duhen “deri në 1,000 vjet për t’u dekompozuar”, duke liruar substanca toksike në tokë dhe ujë.
Po ashtu, përmenden kimikate si ftalatet dhe bisfenol A (BPA), të cilat cilësohen si disruptorë endokrinë me rrezik potencial për shëndetin.
Vendimi referon edhe Direktivën (BE) 2019/904 dhe Direktivën 94/62 për paketimin, si pjesë e kornizës evropiane për reduktimin e plastikës.
Sipas Presidentes, një ligj që kufizon politika më të avancuara mjedisore bie ndesh me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në përfundim, ajo kërkon rishqyrtimin e nenit 17 (4) “për të krijuar mundësinë për ndërmarrjen e masave më të avancuara për mbrojtjen e mjedisit”.



