Ish-të burgosurit politikë nderojnë 90-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit me homazhe në Velani
Ish-të burgosurit politikë të Kosovës do të bëjnë homazhe nesër, më 26 shkurt, në ora 10:00, në shënim të 90-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit. Homazhet do të mbahen te varri i tij në Varrezat e Dëshmorëve në Velani të Prishtinës.
Lajmin për gazetën “Epoka e Re” e ka konfirmuar kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefik Sadiku. Ai ka bërë të ditur se, duke filluar nga ora 10:00, do të vendosen lule pranë varrit të Demaçit, në shenjë kujtimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e tij.
Adem Demaçi, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe simbol i rezistencës shqiptare, ka lindur më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, dhe ka ndërruar jetë më 26 korrik 2018, në moshën 82-vjeçare. I njohur si “Mandela i Kosovës”, ai kaloi 28 vjet në burgjet jugosllave për shkak të angazhimit të tij të pandërprerë për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.
Homazhet e së enjtes pritet të mbledhin ish-të burgosur politikë, bashkëveprimtarë dhe qytetarë, të cilët do të kujtojnë kontributin dhe sakrificën e një prej figurave më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.



