Tërnava falënderon Turqinë për ndihmën ndaj popullit të Kosovës
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.
Myftiu Tërnava e ka falënderuar ambasadorin për ndihmën që shtetit turk i ka dhënë popullit të Kosovës.
“Myftiu Tërnava e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe për urimet e përcjella, duke shprehur mirënjohje të thellë për shtetin mik turk për ndihmat e vazhdueshme që ka dhënë për popullin e Kosovës, e në veçanti për përkrahjen dhe ndihmat e ofruara në fillim të muajit Ramazan”, ka njoftuar BIK-u.
Siç ka njoftuar BIK-u, gjatë takimit është vlerësuar lart bashkëpunimi i deritanishëm me institucionet e Turqisë, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, në shërbim të besimtarëve dhe të shoqërisë në përgjithësi.




