Clinton për Epstein: Jam tmerruar me krimet që ka kryer – merreni në pyetje mikun e tij, Trumpin
Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i përsëriti ligjvënësve në deklaratën e saj hapëse të enjten se nuk ka informacion për aktivitetet kriminale të Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell.
Ish-Zonja e Parë e SHBA-së gjithashtu i bëri thirrje Kongresit ta merrte në pyetje presidentin aktual, Donald Trump.
“Si çdo person i ndershëm, jam tmerruar nga ajo që kemi mësuar për krimet e tyre”, tha ajo për Epstein dhe Maxwell.
“Është e pabesueshme që Epstein fillimisht mori një ‘shuplakë’ në 2008, gjë që i lejoi të vazhdonte praktikat grabitqare për një dekadë tjetër”, shtoi 78-vjeçarja në deklaratën e publikuar në platformën X.
Clinton aktualisht po përballet me pyetjet e anëtarëve të Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve në Chappaqua, New York.
Në deklaratën e saj, ajo akuzoi kryetarin republikan të panelit, James Comer, se po e shënjestronte për arsye politike dhe i kërkoi panelit ta pyeste Trumpin – i cili dikur ishte mik me Epstein – nën betim për njohuritë e tij rreth personit të dënuar për trafikim seksual të fëmijëve.
“Çfarë po mbahet pezull? Kush po mbrohet? Dhe pse ky mbulim?”, pyeti ajo, ndërsa bashkëshorti i saj, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, do të dëshmojë të premten si pjesë e hetimit të Kongresit. /Telegrafi/



