Vengu: Ishte kënaqësi ta udhëhiqja Ministrinë e Mbrojtjes

27 shkurt 2026 | 14:37

Këtë të premte është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të sistemeve raketore “Javelin” në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr.

Në ceremoni ishte pjesëmarrës edhe ministri në largim, Piro Vengu, i cili ka thënë se ishte privilegj të mbante postin e ministrit të Mbrojtjes një ditë pasi kryeministri Edi Rama e ka shkarkuar nga ky post, duke vendosur në këtë pozicion Ermal Nufin.

“Është vërtet kënaqësi që në këtë moment të tranzitimit të detyrës sime, të linim këtë shenj sot së bashku me partnerët tanë amerikan. Sot dorëzojmë në forcën tokësore sistemin ‘Javelin’, të porositur prej vitesh dhe pjesë e një bashkëpunimi të ngushte me ShBA. Ky nuk është vetëm një simbol force, por është edhe një mesazh qartësie strategjike. Shpesh herë më bëjnë pyetje pse vendet, sapo t’i jepet mundësia shpenzojnë kaq pak në mbrojtje. Kur përpiqem ta logjikoj përgjigjen, e vetmja gjë që më vjen ndërmend është të them që siguria është e padukshme kur funksionon”.

“Paqja krijon iluzionin se është një gjendje natyrore dhe investimi në mbrojtje shpeshherë nuk prodhon duartrokitje të menjëhershme, por shmang kriza që askush nuk do t’i përjetojë. Shqipëria ka vendosur të investojë në ushtri në kohë paqeje. Dua të falënderoj partnerët amerikanë, që na japin një mbështetje domethënëse. Shqipëria ka vendosur që të investojë me plan buxhetor, ne po rrisim besueshmërinë, duke shkurajuar rreziqet me kapacitete reale. Shqipëria nuk armatoset për të sulmuar ndonjë vend, por për mbrojtjen e saj. Mbrojtja nuk është luks, por është kusht ekzistence për një shtet serioz, sidomos për procesin e integrimit evropian”, ka thënë Vengu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elisa Spiropali ka reaguar për herë të parë pas shkarkimit…