Sallahu: Vendi nuk shkon në zgjedhje nëse dështon zgjedhja e Presidentit deri më 4 mars 2026
Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se, bazuar në nenin 86 të Kushtetutës dhe aktgjykimin KO29/11 të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, vendi nuk shkon automatikisht në zgjedhje nëse Presidenti nuk zgjidhet deri më 4 mars 2026 për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve në votim.
Sipas tij, zgjedhje të reja shpallen vetëm nëse, pas tre raundeve të votimit, asnjë kandidat nuk siguron 80 vota në dy raundet e para dhe 61 vota në të tretin.
Ai thekson se çdo zgjedhje e Presidentit pas këtij afati do të ishte kundërkushtetuese.
Sallahu propozon që çështja të dërgohet në Kushtetuese me kërkesë për masë të përkohshme, në mënyrë që të pezullohet afati dhe të obligohen deputetët të marrin pjesë në votim, duke iu referuar edhe aktgjykimeve KO 193/25 dhe KO-196/25.
Postimi i tij i plotë 👇:
Referuar ndërtimit të strukturës së normës kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO29/11, vendi nuk shkon në zgjedhje nëse nuk zgjedhet Presidenti me 4 mars 2026, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve në seancë plenare dhe në votim në tri ruandet e përcaktuara kushtetuese.
Në zgjedhje shkohet vetëm nëse pas ezaurimit të tri votimeve asnjëri kandidatë për President në dy votimet e para nuk ka marrë së paku 80 vota dhe në votimin e tretë, së paku 61 vota.
Ndryshe, nëse zgjedhet Presidenti pas 4 marsit 2026, mbi bazën e numrit të votave sipas nenit 86 të Kushtetutës, atëherë zgjedhja e tij, sipas po të njëjtit nen është kundërkushtetuese.
Në mënyrë që të parandalohet papërgjegjësia e deputetëve me mospjesëmarrje dhe mosvotim në seancë plenare, duke cenuar aktgjykimet mëhershme lidhur me obligimin e tyre në votim, atëherë posa të fillojë procedura e zgjedhjes së Presidentit, procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, me kërkesën për masë të përkohshme në mënyrë që afati për zgjedhjen e Presidentit të vendit të Pezullohet!
Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse t’i obligojë edhe njëherë deputetët që të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë për kundër apo abstenim duke ju referuar aktgjykimeve të mëparshme, konkretisht aktgjykimit KO 193/25 dhe KO-196/25, të bazuar edhe në Opinionin e Komisionit të Venecias CDL-AD(2017)003.



