ShBA-ja dhe aleatët shkëmbejnë qindra sulme me Iranin

02 mars 2026 | 14:36

Irani ka sulmuar qendrat ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe të shteteve të tjera perëndimore, si dhe lokacione civile në Izrael, në shtetet e Gjirit Persik dhe në vende të tjera, pasi sulmet amerikane dhe izraelite goditën dhjetëra vende në Iran.

Me një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Bahrejni, Jordania, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dënuan fuqishëm “sulmet e papërgjegjshme me raketa dhe dronë të Iranit ndaj territoreve sovrane në rajon”. “Këto sulme pa bazë shënjestruan territore sovrane, rrezikuan popullsinë civile dhe dëmtuan infrastrukturën civile”, thuhet në deklaratë.

Edhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, i udhëhequr nga Arabia Saudite, dënoi Teheranin për sulmet ndaj shteteve anëtare dhe theksoi “të drejtën për të reaguar” ndaj këtyre veprimeve.

Ky këshill përfshin: Arabinë Saudite, Katarin, Omanin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Kuvajtin.

Deklarata e përbashkët e Uashingtonit dhe aleatëve të tij arabë thekson se veprimet e Iranit “paraqesin një përshkallëzim të rrezikshëm, që shkel sovranitetin e shteteve të shumta dhe kërcënon stabilitetin rajonal. Shënjestrimi i civilëve dhe vendeve që nuk janë të përfshira në konflikte, është sjellje e papërgjegjshme dhe destabilizuese”.

Izraeli njoftoi mëngjesin e së hënës se ushtria e tij ka goditur objektiva të lëvizjes Hezbollah në Liban, pasi ky grup militant – i mbështetur nga Irani – mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe dronë në veri të Izraelit.

Izraeli tha se, “në përgjigje të sulmeve me predha nga Hezbollahu ndaj shtetit izraelit”, forcat e tij “kanë filluar të godasin objektiva të organizatës terroriste Hezbollah në të gjithë Libanin”.

Detajet mbeten të pakta, por dëshmitarët raportuan se dëgjuan shpërthime në periferitë jugore të Bejrutit – bastion i Hezbollahut.

Një ditë më herët, Hezbollahu – grup militant shiit që prej kohësh konsiderohet aleat i Iranit – shprehu solidaritet me Teheranin pas sulmeve ajrore të ShBA-së dhe Izraelit, por la të kuptohej se nuk do të përfshihej drejtpërdrejt në konflikt.

Por, në një deklaratë, Hezbollahu përmendi vrasjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, si një nga arsyet për vendimin e tij për të nisur një sulm të ri.

Grupi tha se ka nisur “një breshëri raketash dhe një valë dronësh… në hakmarrje për gjakun e pastër të Ajatollah Imam Sayyid Ali Al-Husseini Khameneit… dhe në mbrojtje të Libanit dhe popullit të tij”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në nenin 7 të Udhëzimin Administrativ (MMPHI)…