BQK-ja forcon rrugën e saj drejt integrimit evropian

03 mars 2026 | 11:17

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur lansimin e Fazës III të “Programit për Forcimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor”, të financuar nga BE, i cili zbatohet bashkërisht nga banka qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank), 19 banka qendrore të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE).

I financuar nga Bashkimi Evropian me 3 milionë euro në kuadër të Instrumentit për Asistencë të Para-Anëtarësimit (IPA III), programi 36-mujor synon të avancojë kapacitetet analitike, rregullative dhe mbikëqyrëse të bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Për BQK-në, kjo nismë ofron mbështetje teknike të synuar për forcimin e instrumenteve të politikave, kornizave rregullative dhe praktikave operacionale, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe evropiane.

Si institucion përfitues, BQK-ja do të angazhohet në mënyrë aktive në një program intensiv rajonal trajnimi dhe në masa të asistencës teknike dypalëshe të përshtatura sipas prioriteteve të saj institucionale. Programi do të fokusohet në fusha kyçe strategjike të bankës qendrore, përfshirë parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (PPP/LFT), qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve kibernetike, shkencën dhe qeverisjen e të dhënave, transformimin digjital, inovacionin dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në bankat qendrore.

Përmes pjesëmarrjes së saj në këtë program, BQK-ja rikonfirmon angazhimin për forcimin e stabilitetit financiar, rritjen e efektivitetit të mbikëqyrjes dhe modernizimin e kornizës së saj institucionale në përgatitje për integrim më të thellë evropian.

Programi mbështet më tej objektivin e BQK-së për përafrimin e praktikave rregullative dhe mbikëqyrëse me acquis communautaire dhe standardet e SEBQ-së, duke nxitur njëkohësisht partneritete të qëndrueshme me institucionet homologe në të gjithë Bashkimin Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elton Koci shpall të pavlefshme diplomën e shkollës së mesme…