Meriton Fetaj emërohet drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Pejë
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri,në kuadër të marrëveshjes së koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Pejë, ka emëruar Meriton Fetajn në pozitën e Drejtorit të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik.
Pas emërimit, Fetaj ka shprehur mirënjohjen e tij për besimin e dhënë nga kryetari Muhaxheri, si dhe ka falënderuar kryetarin e degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti, për mbështetjen dhe propozimin e tij.
Në reagimin e tij publik, Fetaj e cilësoi këtë ditë si të veçantë, duke theksuar se detyrën e re do ta ushtrojë me përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve të Pejës.
“Sot është një ditë e veçantë për mua, pasi u emërova Drejtor në Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Pejës për një mandat katërvjeçar. Këtë detyrë e shoh si përgjegjësi të madhe për të punuar me transparencë, seriozitet dhe rezultate konkrete në funksion të zhvillimit ekonomik të qytetit tonë”, ka deklaruar Fetaj.
Ai shtoi se do të jetë i hapur për bashkëpunim me të gjithë akterët institucionalë dhe ekonomikë, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi çdo interes tjetër.
“Peja ka potencial të jashtëzakonshëm dhe së bashku do ta kthejmë atë në mundësi konkrete zhvillimi, mbështetje për bizneset dhe krijim të vendeve të reja të punës”, është shprehur ai, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen.



