Çfarë ndodh nëse as nesër nuk ka emër për kandidat/e për president?
Avokati Ardian Bajraktari tha se nëse nesër nuk zgjedhet presidenti, mosrespektimi i afateve kushtetuese do të krijonte precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues.
Ai theksoi se afati ligjor për zgjedhjen e presidentit është detyrues dhe çdo vonesë cenon sigurinë juridike dhe besimin në institucionet e shtetit.
“Sipas Kushtetutës, konkretisht nenit 86, paragrafi 2, Presidenti/ja duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit/es aktual/e. Ky afat nuk është formalitet procedural, por garanci për stabilitet institucional dhe vazhdimësi kushtetuese. Pavarësisht faktit se mosrespektimi i këtij afati nuk nënkupton automatikisht shpërndarjen e Kuvendit apo shkuarjen e vendit në zgjedhje, kjo në asnjë mënyrë nuk e zbeh natyrën e saj detyruese, sepse dispozita kushtetuese përdor termin “duhet”, i cili në terminologjinë juridike shpreh obligim të qartë dhe jo rekomandim apo mundësi diskrecionale”.
Pasojat eventuale i takojnë Gjykatës Kushtetuese të vendosë, nëse çështja adresohen nga palët e autorizuara.
“Çdo vonesë apo relativizim i këtij detyrimi cenon sigurinë juridike dhe dëmton besimin në rendin kushtetues. Në një shtet të së drejtës, Kushtetuta qëndron mbi kalkulimet politike të ditës”.
“Relativizimi i afateve kushtetuese sot, hap derën për shkelje të tjera nesër. Nëse akti më i lartë juridik në vend trajtohet si çështje interpretimi politik, atëherë cenohen parimet themelore të sigurisë juridike, stabilitetit institucional dhe funksionimit normal të shtetit”, tha Bajraktari për GazetaBlic.



