SHBA dhe Izraeli zotohen se nuk do të ndalen teksa intensifikohet fushata kundër Iranit
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli u zotuan se nuk do të lëshojnë pe në fushatën e tyre ushtarake kundër Iranit, teksa Tel Avivi lëshoi “valë të re të sulmeve” dhe presidenti amerikan, Donald Trump tha se Teherani “do të goditet dhe lëndohet edhe më tepër” në ditët në vazhdim.
“Goditjet e shkallës së gjerë nisin tani”, ka thënë Trump më 3 shkurt në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një takimi me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
“Ata nuk kanë më mbrojtje ajrore, ata nuk kanë më sisteme gjurmimi, kështu që do të lëndohen shumë”, ka paralajmëruar presidenti amerikan, raporton REL.
Trump ka përsëritur se përveç liderit suprem Ali Khamenei, një pjesë e mirë e udhëheqjes iraniane është vrarë në sulmet amerikano-izraelite, duke e lënë regjimin në duar të pasigurta.
“Shumica e njerëzve që kemi pasur në mendje tanimë janë të vdekur. Tani e kemi një grup tjetër. Edhe ata mund të jenë të vdekur, bazuar në raportime”, ka thënë Trump.
Pasi Trump foli, shefi i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane, admirali Brad Cooper ka thënë se Operacioni “Tërbimi Epik” përbën pozicionimin më të madh të ushtrisë amerikane në Lindje të Mesme brenda një gjenerate.
Ai ka thënë se mbi 50.000 trupa, mbi 200 aeroplanë luftarakë, dy aeroplanmbajtëse dhe bombarduese me rreze të gjatë janë të përfshira në operacion. Cooper e ka përshkruar fazën hyrëse të fushatës ushtarake si dyfish më të madhe sesa ajo e vitit 2003 “Tronditje dhe habi” në Irak.
“Sot nuk e kemi asnjë anije iraniane në ujërat e Gjirit Arab, Ngushticën e Hormuzit apo Gjirin e Omanit”, ka thënë Copper, duke e përshkruar atë që e ka quajtur përpjekje të pashembullt për t’i eliminuar aftësitë e Iranit që t’i kërcënojnë forcat amerikane.
“Ky është vetëm fillimi”, ka thënë admirali. “Por, besoj shumë që ne, bashkë me aleatët, do t’i arrijmë objektivat tanë ushtarakë”.
Copper ka thënë se ushtria amerikane i ka shkatërruar 17 anije të marinës iraniane – përfshirë një nëndetëse – dhe i ka rrëzuar gati 2.000 targete nëpër Iran brenda katër ditësh.
Sulme të reja izraelite
Ndaras, Izraeli ka thënë më 4 mars se ka nisur “valë të re sulmesh”, duke thënë se shënjestrat e saj në ditën e pestë të sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite përfshijnë “sisteme ajrore iraniane, zonat e lansimit dhe infrastrukturë shtesë”.
Në Teheran, qytet me rreth 10 milionë banorë, rrugët janë parë pa njerëz, ose në disa pjesë janë parë duke u larguar nga qyteti.
“Ka aq pak njerëz, prandaj krijohet përshtypje që askush nuk jeton këtu”, ka thënë infermierja Samireh për agjencinë e lajmeve AFP.
Autoritetet u kanë bërë thirrje njerëzve që të largohen nga kryeqyteti. Policia, forcat e armatosura të sigurisë dhe pajisje të armatosura janë stacionuar në rrugët kryesore, duke kryer kontrolle të rregullta nëpër makina, ka shtuar AFP.
Raportimet brenda Iranit vështirë verifikohen. Agjencia e lajmeve HRANA, me seli në Shtetet e Bashkuara ka thënë se gati 1.100 civilë, përfshirë 181 fëmijë, janë vrarë në sulme.



